Pas rreth dy orësh ndërprerje të energjisë elektrike, është riparuar avaria në linjën 110 kV të NST Traktora dhe zonat e prekura kanë nisur të furnizohen sërish me energji.
OSHEE bëri me dije se rreth orës 20:30 u stakua linja e transmetimit 110 kV Tirana 220 kV – Traktora, duke lënë për disa minuta pa energji elektrike disa zona të kryeqytetit. Menjëherë pas defektit, grupet e OSSH-së ndërhynë për të menaxhuar situatën, duke manovruar me linjat e dyta përmes skemave unazë.
Sipas njoftimit, institucionet me rëndësi të veçantë janë furnizuar pa ndërprerje me energji elektrike, ndërsa në disa zona energjia është rikthyer brenda 30 minutash.
Megjithatë, në momentin e raportimit, ende mbeten pa energji elektrike disa zona, përfshirë një pjesë të rrugës “Ali Demi”, zonën pranë Teleferikut, Freskun, si dhe disa segmente pranë “Rrugës së Elbasanit”. Grupi teknik po vijon punën për rikthimin e plotë të furnizimit.