Byroja e Kuvendit pritet të mblidhet ditën e sotme për të shqyrtuar ankimin e paraqitur nga deputetët e Partisë Demokratike, të cilët u përjashtuan nga seanca plenare e datës 18 dhjetor.
Çështja konsiderohet me rëndësi të veçantë për opozitën, pasi lidhet me masat disiplinore të marra ndaj përfaqësuesve të saj në Parlament.
Në këtë kuadër, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i është drejtuar me një kërkesë zyrtare kryeparlamentarit Niko Peleshi, ku kërkon që mbledhja e Byrosë së Kuvendit të zhvillohet e hapur dhe me praninë e mediave. Sipas demokratëve, transparenca është thelbësore, duke qenë se në rendin e ditës janë çështje që prekin drejtpërdrejt funksionimin e Kuvendit dhe të drejtën e përfaqësimit parlamentar.
“Në cilësinë e anëtarit të Byrosë së Kuvendit, në kuadër të transparencës dhe interesit të opinionit publik, si dhe ndjeshmërisë së çështjeve për diskutim, kërkoj që mbledhja e sotme e Byrosë së Kuvendit, në orën 11:00, të zhvillohet me praninë e mediave dhe gazetarëve”, thuhet në kërkesën e drejtuar kryetarit të Kuvendit.
Vendimi i Byrosë pritet të hedhë dritë mbi hapat e mëtejshëm që do të ndiqen lidhur me këtë çështje.