Këshilli i Ministrave miraton aderimin e Shqipërisë në “Bordin e Paqes”, pritet të kalojë në Parlament për votim

Shqipëria

Këshilli i Ministrave miraton aderimin e Shqipërisë në “Bordin e Paqes”, pritet të kalojë në Parlament për votim

Më: 21 janar 2026 Në ora: 14:05
Foto ilustrim

Këshilli i Ministrave ka miratuar aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, pas ftesës së presidentit amerikan Donald Trump.

Tashmë, do të jetë Kuvendi i cili do të ratifikojë aderimin në Bordin e Paqes, ndërsa deputetët pritet të mblidhen në seancë për të votuar.

Kujtojmë se një ditë më parë kryeministri Edi Rama, njoftoi se i ka përcjellë Presidentit Donald J. Trump përgjigjen e tij për ftesën për të marrë pjesë në Bordin e Paqes.

Rama shkruante se ka pranuar ftesën dhe angazhimi i Shqipërisë do t’i dërgohet së shpejti Kuvendit për miratim.

Në letrën e tij, Rama ka falenderuar Trump për ftesën për të shërbyer si anëtare themeluese e këtij bordi ndërkombëtar ndërsa shton se për të është privilegj dhe nder të shprehi gatishmërinë e plotë për të kontribuar në këtë përpjekje të rëndësishme dhe për t’u bërë tërësisht pjesë e një angazhimi të përbashkët.

Rama theksoi gjithashtu lidhjet e forta historike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke vënë në dukje se populli shqiptar e ka vlerësuar gjithmonë mbështetjen amerikane në momentet kritike të historisë rajonale.

“Republika e Shqipërisë ka qenë prej kohësh një aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e lidhur nga vlera të përbashkëta, respekt i ndërsjellë dhe një përkushtim i përbashkët ndaj lirisë, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare”, shkruante Rama në letrën drejtuar Trump.

Reagimi i Ramës

Sot i përcolla Presidentit Donald J. Trump përgjigjen e ftesës së tij për të marrë pjesë në Bordin e Paqes.

Së shpejti angazhimi ynë do t’i përcillet Kuvendit të Shqipërisë për miratim.

Letra e Ramës për Trump:

Republika e Shqipërisë

Kryeministri

Tiranë, 19 janar 2026

Shkëlqesisë së Tij Z. Donald J. Trump

President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Washington, DC

I nderuar Zoti President,

Po ju shkruaj për të shprehur vlerësimin tim më të thellë për angazhimin tuaj të fortë dhe udhëheqjen vizionare në themelimin e Bordit të Paqes, si edhe për t’ju falënderuar sinqerisht për ftesën që më keni drejtuar personalisht për të qenë pjesë e tij, si edhe për ftesën drejtuar vendit tim, Republikës së Shqipërisë, për të shërbyer si anëtare themeluese.

Në një kohë kur konfliktet dhe përçarja dominojnë shumë shpesh panoramën ndërkombëtare, paqja duhet të formësohet aktivisht e jo të pritet pasivisht a diskutohet pafundësisht nëpër forume politike, teksa përreth globit jetë të pafajshme humbasin kotësisht çdo minutë. Bordi i Paqes shfaqet si mishërimi i kësaj domosdoshmërie urgjente.

Duke trajtuar njëkohësisht pasojat e menjëhershme të konflikteve dhe shkaqet më të thella strukturore që e prodhojnë paqëndrueshmërinë, kjo nismë ka potencialin të shndërrohet në një model vërtetë transformues të ndërtimit të paqes në nivel global.

Duket qartë se për të qenë një organizatë e re ndërkombëtare, Bordi i Paqes nuk është konceptuar si një forum tjetër deklaratash, procedurash dhe përgjegjësish të shtyra në kohë, por si një instrument i përqëndruar dhe qëllimplotë i udhëheqjes dhe përgjegjësisë globale.

Kur filtrohet pafundësisht përmes shtresave të procedurave, paqja shumë shpesh mbërrin tepër vonë; kjo nismë mishëron me plot të drejtë kuptimin se koha, qartësia e mandatit dhe përgjegjësia personale në nivelin më të lartë janë vetë instrumente të paqes.

Prandaj, është njëkohësisht privilegj dhe nder të shpreh gatishmërinë time të plotë për të kontribuar në këtë përpjekje të rëndësishme dhe për t’u bërë tërësisht pjesë e një angazhimi të përbashkët që synon ta përkthejë vizionin në veprim.

Republika e Shqipërisë ka qenë prej kohësh një aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e lidhur nga vlera të përbashkëta, respekt i ndërsjellë dhe një përkushtim i përbashkët ndaj lirisë, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare.

Populli shqiptar do ta kujtojë gjithmonë dhe do ta çmojë vazhdimisht rolin parimor dhe vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, drejt vendosjes së paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë në momente kritike të historisë sonë të përbashkët. Në këtë frymë të qëndrueshme partneriteti, dëshiroj të ritheksoj se Republika e Shqipërisë qëndron me vendosmëri përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të gjitha përpjekjet për promovimin e paqes, sigurisë dhe angazhimit konstruktiv global.

Duke pritur me interes të kontribuoj në suksesin e misionit të Bordit të Paqes, ju lutem pranoni, Zoti President dhe Kryetar i Bordit, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Me respekt,

Edi Rama

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat