Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha iu përgjigj një komentuesi, i cili e pyeti se çfarë do të bëhet me Belinda Ballukun, pas vendimit të GJK që e pezulloi nga detyra. Sipas Berishës, kryengritja paqësore e opozitës do ta çojë Ballukun dhe Ramën në bankën e të akuzuarve.
Berisha i kërkoi Ramës, që të mos lobojë, pasi nuk do të ketë asnjë kompromis, përveçse ligjit.
“Kryengritja paqësore do ti çojë ata në bankën e të akuzuarve, aty ku meritojnë. Nuk ka forcë që e shpëton Ramën. Mos lobo dhe mos kërko, se në mënyrë absolute ne nuk kërkojmë asnjë lloj kompromisi përveç ligjit. Do përballesh me ligjin për veprat e tua të zeza” u përgjigj Berisha.
Berisha u ndal edhe tek dosjet e Ballukut dhe AKSHI-t, që sipas tij nxjerrin të vërtetat e Ramës, që sipas tij ai është autori i të gjitha vjedhjeve.
“Qoftë dosja e Belindës, qoftë dosja e AKSHIt që nxjerrin të vërtetat e Ramës, që është ai autori i tunelit të llogarasë, nxjerrin që Rama është personi që përcaktonte fituesit e tenderit të unazës së madhe, nxjerrin se Rama është Ergys Agasi i vërtetë. Jemi në këto rrethana të cilat kërkojnë se Rama do të bëjë gjithçka për të shpëtuar lëkurën e tij. Vetëm guximi dhe vendosmëria jonë do ta shpëtojë Shqipërinë nga Edi Rama. Kjo betejë nuk ka të ndalur”, deklaroi Berisha.