Policia e Shtetit njofton se ka përfunduar me sukses një tjetër fazë të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, i cili synon lokalizimin dhe vënien para drejtësisë të personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra të rënda penale.
Në kuadër të këtij operacioni, specialistët e Interpol Tiranës kanë bashkëpunuar ngushtë me homologët e tyre në Bruksel, duke finalizuar procedurat për ekstradimin nga Belgjika në Shqipëri të shtetasit S. H., 32 vjeç, i lindur në Elbasan.
Ky shtetas ishte në kërkim ndërkombëtar pasi, në vitin 2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe kryer në kuadër të organizatës kriminale, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
S. H. dyshohet për përfshirje në një ngjarje të rëndë kriminale, duke u implikuar në vrasjen e shtetasit B.M.
Operacioni “The Wanted” vijon intensivisht për kapjen e të gjithë personave të kërkuar, duke siguruar që ata të përballen me drejtësinë për veprimet e tyre penale.