Plagoset nxënësi në Kukës, u godit nga materialet inerte pranë kantierit të ndërtimit të shkollës në rikonstruksion

Shqipëria

Plagoset nxënësi në Kukës, u godit nga materialet inerte pranë kantierit të ndërtimit të shkollës në rikonstruksion

Më: 17 shkurt 2026 Në ora: 09:01
Foto ilustrim

Një ngjarje e rëndë është shënuar ditën e djeshme në Kukës, ku një nxënës i një shkolle 9-vjeçare ka mbetur i plagosur pranë ambientit të shkollës së tij.

Sipas informacioneve paraprake, incidenti ka ndodhur në afërsi të godinës së ish-shkollës 9-vjeçare “Bajram Curri”, e cila aktualisht është në proces rikonstruksioni nga një firmë ndërtimi.

Ngjarja ka ndodhur në momentin kur i mituri po përpiqej të merrte topin pranë kantierit të ndërtimit. Në atë çast, nga kati i tretë i godinës janë hedhur materiale inerte, të cilat e kanë goditur nxënësin, duke i shkaktuar plagë dhe dëmtime që kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme mjekësore. Sipas burimeve, në zonën e punimeve mungonin masat e duhura të sigurisë teknike dhe izolimi i plotë i kantierit, çka ka rritur rrezikun për kalimtarët dhe veçanërisht për nxënësit.

I mituri është transportuar fillimisht në urgjencën e spitalit rajonal të Kukës, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Për shkak të gjendjes shëndetësore dhe natyrës së dëmtimeve, ai është dërguar më pas me urgjencë drejt Spitali i Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar.

Ndërkohë, ngjarja nuk është raportuar zyrtarisht nga Policia e Kukës, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe procedurat e ndjekura në raste të tilla.

Nga ana tjetër, Inspektoriati i Punës ka ndërhyrë menjëherë duke bllokuar punimet në godinë dhe duke vendosur shiritat e sigurisë, për shkak të mungesës së kushteve teknike dhe masave mbrojtëse në kantier.

Ky incident ka rikthyer në vëmendje rëndësinë e respektimit të rregullave të sigurisë në kantieret e ndërtimit, veçanërisht kur ato ndodhen pranë institucioneve arsimore dhe zonave të frekuentuara nga fëmijë.

Autoritetet pritet të hetojnë rrethanat e plota të ngjarjes dhe të përcaktojnë përgjegjësitë përkatëse, në mënyrë që situata të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat