Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të zhvillojë një vizitë pune në Romë dhe Barcelonë në datat 16 dhe 18 prill, në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare dhe forcimit të bashkëpunimit me partnerët evropianë.
Gjatë qëndrimit në Itali, Rama do të zhvillojë takime me Kryeministren italiane, Giorgia Meloni, si dhe me Ministrin e Mbrojtjes, Guido Crosetto, për të diskutuar mbi çështje të sigurisë dhe bashkëpunimit dypalësh. Takimi me kryeministren italiane pritet të mbahet në Pallatin Kryeministror rreth orës 15:00.
Në vijim të vizitës, Kryeministri Rama do të marrë pjesë me ftesë të kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez, në mbledhjen e katërt të Samitit “Në Mbrojtje të Demokracisë” në Barcelonë.
Punimet e samitit do të përqendrohen te temat kyçe “Institucionet dhe multilaterizmi” dhe “Dezinformimi dhe teknologjia digjitale”, ku vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rregullimit të mjedisit dixhital për të luftuar dezinformimin, forcimit të institucioneve demokratike dhe multilateralizmit, si dhe promovimit të barazisë si themel i një demokracie të fortë.
Gjatë Samitit, Kryeministri Rama do të zhvillojë gjithashtu takime bilaterale me kryeministrin Sanchez dhe me Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa.