Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tetë persona të akuzuar për mashtrime kompjuterike ndaj shtetasve gjermanë, përmes call center-ave.
Sipas SPAK, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë është depozituar kërkesa për gjykimin e procedimit penal nr. 42 të vitit 2024.
Në qendër të hetimit janë Emiljano Sejdillari dhe Sokol Krasniqi, të cilët akuzohen për mashtrim kompjuterik të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Ndërkohë, Rodrigo Guga, Eltion Logu, Tafil Dyrmishi dhe Lisjane Çulani akuzohen për të njëjtat vepra penale, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Po ashtu, Klejdi Nuka dhe Mateo Llozhi përballen me akuzën e mashtrimit kompjuterik në bashkëpunim.
Hetimet për këtë çështje nisën pas një kërkese për ndihmë juridike nga Prokuroria e Përgjithshme e Karlsruhe në Gjermani.
Analiza e plotë çoi në rezultatin e qartë të ekzistencës së një grupi të strukturuar kriminal me qëllim mashtrimin e shtetasve gjermanë përmes Call Centrer, të paregjistruara si biznese në organet tatimore.