Mbahen homazhet për ish kryetarin e Kuvendit Servet Pëllumbi, deputeti Agron Gjekmarkaj bën nderime në emër të opozitës

Shqipëria

Mbahen homazhet për ish kryetarin e Kuvendit Servet Pëllumbi, deputeti Agron Gjekmarkaj bën nderime në emër të opozitës

Më: 6 maj 2026 Në ora: 10:56
Foto nga vendi i ngjarjes

Në Teatrin e Operas dhe Baletit, po mbahen homazhet në nderim të Servet Pëllumbit, ish kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë dhe një nga figurat më të rëndësishme të politikës, sidomos në periudhën e tranzicionit pas viteve ’90.

Homazhet nisën në orën 09:30 dhe do të vijojnë deri në 12:00. Në 13:00, kortezhi do të niset për në varrezat e Sharrës, ku do të prehet trupi i tij.

Të pranishëm për të bërë homazhe kanë qenë figura të shumta politike, ndërkohë që nga opozita, është parë deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj, nënkryetar i Kuvendit, i cili ka nderuar  figurën e tij.

Homazhe bëri edhe shkrimtari dhe publicisti Preç Zogaj, i cili e vlerësoi figurën e tij si një shembull për politikën shqiptare.

“Servet Pëllumbi, ishte i fundit i të moderuarve, i të urtëve në nivel lideri politik në Shqipëri. Besnik i parimeve të së majtës europiane. La në Shqipëri shembullin e politikanit fleksibël, të urave të dialogut, të zgjidhjeve të vështira si pak kush tjetër. Me vdekjen e tij politika e shqiptare është më e varfër”, tha Zogaj.

Servet Pëllumbi ishte një nga figurat kryesore të politikës, sidomos në periudhën e tranzicionit pas viteve ’90. Pati një karrierë të gjatë në PS dhe mbajti disa mandate si deputet, si edhe postin e kryetarit të Kuvendit.

Ai u dekorua nga ish-presidenti Alfred Moisiu me urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Pëllumbi lindi më 14 dhjetor 1936 në Korçë dhe konsiderohej si një zë i rëndësishëm në debatet politike të vendit për shumë vite.

Ai ishte aktiv në politikë për disa dekada, deri në tërheqjen nga jeta publike në vitet e fundit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat