Përplasje mes policisë dhe protestuesve në marshimin e PD-së – efektivët bllokojnë bulevardin, hidhen molotovë e fishekzjarre

Shqipëria

Përplasje mes policisë dhe protestuesve në marshimin e PD-së – efektivët bllokojnë bulevardin, hidhen molotovë e fishekzjarre

Më: 8 maj 2026 Në ora: 19:51 Përditësuar në ora: 21:27 më 08.05.2026
Foto nga vendi i ngjarjes

Efektivët bllokojnë bulevardin, hidhen molotovë e fishekzjarre

Protesta e opozitës para Kryeministrisë është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Gjatë tubimit janë hedhur molotovë, fishekzjarre dhe mjete të tjera piroteknike në drejtim të efektivëve, ndërsa policia është kundërpërgjigjur me ujë dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës.

Tensionet vijuan edhe pranë Ministrisë së Brendshme, aty ku u zhvendos protesta e opozitës. Protestuesit u panë me fishekzjarre në duar teksa i drejtonin drejt forcave të policisë, të cilat kishin krijuar një kordon sigurie për të bllokuar marshimin. Pas ndërhyrjes së policisë me ujë dhe gaz lotsjellës, protestuesit u sprapsën për pak çaste, por më pas tentuan sërish të çanin kordonin.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u nis nga selia blu drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku opozita kishte thirrur protestën që nisi në orën 19:00. Berisha është shfaqur më pas pranë Ministrisë së Brendshme i pajisur me maskë kundërgaz, i shoqëruar nga truprojat, eksponentë të lartë të Partisë Demokratike dhe mbështetës të tij.

Protestuesit kanë bërë thirrje për të vijuar marshimin, duke akuzuar policinë se po pengon lëvizjen e tyre drejt institucioneve. Pas disa tentativash për të depërtuar në anën tjetër të kordonit, ata nuk arritën të çanin vijën policore. Forcat e rendit përdorën ujë për shpërndarjen e turmës, duke i larguar përkohësisht protestuesit, të cilët më pas u rikthyen duke u përplasur sërish me policinë.

Tubimi ishte paralajmëruar si marshim pa fjalime dhe me kohëzgjatje deri në orën 22:00. Për garantimin e rendit dhe sigurisë, në terren janë angazhuar rreth 1500 punonjës policie, ndërsa masat e sigurisë kanë qenë të shumta në të gjithë zonën përreth Kryeministrisë dhe institucioneve kryesore.

Policia e Tiranës kishte njoftuar më herët bllokimin e disa akseve kryesore rrugore. Që prej mesnatës së të enjtes është ndaluar qarkullimi dhe parkimi në segmentin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” nga “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”. Ndërkohë, nga ora 15:00 e së premtes u bllokua edhe lëvizja në pjesën nga Ministria e Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në terren ka qenë edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili ka ndjekur nga afër zbatimin e planit të masave dhe situatën gjatë protestës.

Tensionet në tubimin e PD-së, Bardhi përplaset me efektivët e policisë: Pse e provokoni protestën, është paqësore

Deputeti Gazment Bardhi është përplasur gjatë protestës me efektivët e policisë.

Bardhi u shpreh se ata po provokojnë një protestë që sipas tij është paqësore.

“Në cilin vend të botës pengohet protesta? Nga kush i merrni urdhrat ju? A ishte protesta paqësore? Pse e provokoni protestën? A keni ligj ju apo zbatoni vetëm urdhra të paligjshëm?”, u shpreh deputeti Gazment Bardhi.

​PD mban protestën kombëtare para Kryeministrisë

Partia Demokratike mban këtë mbrëmje protestën kombëtare, e cila është e disata për këtë vit që nga fillimi i serisë së protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Tubimi ka nisur rreth orës 19:30 në sheshin para Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Në sheshin para Kryeministrisë nuk është vendosur foltore e improvizuar siç ka ndodhur në protestat e mëparshme. Protesta pritet të jetë në formën e marshimit siç ka ndodhur në disa nga protestat e mëparshme.

Në marshimet e mëparshme protestuesit kanë protestuar duke e shoqëruar me goditje ndaj institucioneve shtetërore me objekte të ndryshme.

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha bashkë me deputetë të tjerë kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive.

Protesta fokusohet kryesisht te akuzat për korrupsion të lartë, keqqeverisje, çmime të larta, krizën ekonomike, emigracionin masiv dhe izolimin ndërkombëtar të Shqipërisë.

Ndërkaq policia e Shtetit ka marrë masat e sigurisë rreth zonës së Kryeministrisë, ku është paralajmëruar bllokim i pjesshëm i bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe rrugëve përreth, ndërsa lëvizja dhe parkimi janë të kufizuara.

Nis protesta e opozitës në Shqipëri, 1,500 policë në terren

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë nga selia ë për t’u nisur drejt protestës së opozitës, e cila pritet të zhvillohet përpara Kryeministrisë.

Për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës janë angazhuar rreth 1500 punonjës policie. Tubimi është njoftuar të zgjasë nga ora 19:00 deri në 22:00 dhe sipas organizatorëve nuk do të ketë fjalime, por do të zhvillohet në formën e një marshimi.

Policia e Tiranës ka bërë të ditur edhe masat e qarkullimit rrugor. Nga ora 23:45 e së enjtes deri në përfundim të protestës më 8 maj, është ndaluar qarkullimi dhe parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.

Po ashtu, të premten nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në terren ka qenë edhe drejtori i Përgjithshëm Skënder Hita, i cili ka inspektuar nga afër masat e sigurisë në bulevardin kryesor të kryeqytetit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat