Shqipëria është larg integrimit evropian pasi ndodhet në diskordancë me BE në shumë fusha, sikurse është ajo kryesore, shëndeti i qytetarëve dhe pasiguria e medikamenteve, pa llogaritur shkallën e korrupsionit.
Kështu u shpreh mes të tjerash sot (12 maj) në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, ish-ministri dhe deputeti demokrat Tritan Shehu.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit u zhvillua seanca dëgjimore me Ministrin e Shtetit dhe Kryenegociator, Majlinda Dhuka, mbi Raportin e Këshillit të Ministrave mbi procesin e anëtarësimit dhe integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, për vitin 2025 dhe periudhën katërmujore janar-prill 2026.
Dhuka tha se është ecur me shpejtësi drejt integrimit në BE dhe po punohet për mbylljen e grupkapitujve të hapura, duke e cilësuar si vitin më të suksesshëm në këtë proces.
Por deputeti Shehu i cilësoi si mburrje, pasi realiteti ishte ndryshe. Ai e nisi diskutimin e tij nga fusha më elementare dhe e rëndësishme e shëndetësisë.
“Jemi në diskordancë të llahtarshme me BE në fushën e shëndetësisë, mjekësore. Ka një agjenci evropiane, EMA, që certifikon ilaçet apo medikamentet. Ne kemi shumicën e tyre të pacertifikuar, vijnë nga burime të tjera, nuk vijnë nga EMA. Në ligjin e 2013 e kishim të qartë, asnjë ilaç nuk futej në vend pa certifikim nga EMA. Shqipëria është mbushur sot me medikamente krejtësisht të pasigurta, të pacertifikuara nga BE-ja. Nuk shoh asnjë standard të BE-së në këtë fushë, nuk të pranon Bashkimi Evropian dhe nuk shoh asnjë zhvillim për këtë barazi dhe ligj, e politika shtetërore”, tha ligjvënësi opozitar gjatë mbledhjes.
Ai shpjegoi se kjo pikë do të ishte e detyrueshme në rrugën drejt integrimit, teksa theksoi se mungojnë kontrollet dhe shërbimi në spitale.
“Së shpejti do jenë element të detyrueshëm këto në rrugën e integrimit Evropian. Për të mos folur për korrupsionin pastaj, ku nuk ka asnjë kontrolle prej dhjetë muajsh në spitale. E drejta e pacientit është themelore në BE dhe trajtimi i tij gjithashtu, këtu shkelet. Në radhë të parë procesi i integrimit ka mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve shqiptarë”, vijoi Shehu.
Deputeti mori si shembull edhe pandeminë e COVID-19 për të shpjeguar se sa i gjendet shteti qytetarit në kohë të vështira për sigurinë e shëndetit. Ai e shpjegoi me disa shifra.
“Gjatë pandemisë COVID patëm në Shqipëri 180 mijë raste, shpenzimi nga secili rast ishte 1 mijë euro, totali 180 milionë euro. E din sa fonde dha shteti? 360 mijë euro të gjitha. E kuptoni se çfarë kontrasti kemi ne me standardet e BE-së”, tha ai.
Në fund Shehu e mbylli fjalën e tij duke folur për ligjin e barazisë gjinore, duke shpjeguar se shumica e vendeve të BE-së nuk e kanë përfshirjen e ndërrimit të gjinisë siç është bërë në Shqipëri, duke nënvizuar se mazhoranca “po mburrej me këtë ligj” dhe se “gjinia e njeriut është vetëm një, ajo në lindje.
“Mos u mburrni me ligjin e barazisë gjinore si standard evropian se nuk ka në BE zëvendësimi i gjinisë. Shumica dërmuese e vendeve të BE nuk e ka. Gjinia e njeriut është ajo në lindje, gjinia biologjike. Ndaj mos krijoni tymnaja”, përfundoi Shehu.