Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka reaguar për protestat që po zhvillohen prej 12 ditësh në Tiranë, ku qytetarë kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama.
Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Bushati ka kritikuar ashpër mënyrën si po trajtohet protesta në hapësirën mediatike, duke pretenduar se ajo është “censuruar nga mediat kombëtare” dhe se fillimisht është transmetuar vetëm nga News24 dhe më pas nga media ndërkombëtare.
Sipas tij, Partia Socialiste duhet të reflektojë seriozisht mbi situatën politike në vend dhe të kërkojë ndjesë për gabimet e bëra gjatë qeverisjes, duke theksuar se “partneriteti mes politikës, oligarkisë, medias dhe krimit të organizuar duhet zhbërë”.
Bushati e përshkruan protestën si një “protestë dinjiteti”, që sipas tij shkon përtej ndarjeve politike dhe tregon pakënaqësi të thellë ndaj modelit aktual të zhvillimit në Shqipëri.
Ai paralajmëron gjithashtu për përqendrimin e pushtetit dhe mungesën e llogaridhënies, duke theksuar se demokracia po dobësohet kur shteti dhe pushteti fillojnë të shkrihen me njëri-tjetrin.