LIVE: Tirana e mbushur nga diaspora, protestuesit në Shqipëri sjellin arkivol para kryeministrisë

Shqipëria

LIVE: Tirana e mbushur nga diaspora, protestuesit në Shqipëri sjellin arkivol para kryeministrisë

Më: 4 korrik 2026 Në ora: 07:48 Përditësuar në ora: 23:51 më 04.07.2026
Foto nga vendi i ngjarjes

“Jeni shumë, bëni ç’të doni”! Dita e 35-të e tubimit, tortë Ramës për ditëlindje: Protestuesit marshojnë drejt komisariatit

Ditëlindja e pavarësisë së SHBA dhe e kryeministrit Edi Rama u festua edhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë.

Krahas valëvitjes së flamujve shqiptarë, qytetarët mbanin në duar edhe flamujt amerikanë. Ndërsa kishin menduar edhe për dhurata për kryeministrin.

Kërkesa për dorëheqje u kthye në këngën e urimit për Edi Ramën. Si dhe tortën e kishin formuar prej betoni.

Në sheshin e protestës ishin të shtunën edhe shqiptarët nga diaspora, të cilët iu bashkuan kërkesës për dorëheqjen e kryeministrit.

Ndërsa u kërkua largimi i gjithë klasës politike, në podiumin para Kryeministrisë u përsërit thirrja për lirimin e protestuesve të arrestuar.

“Kanë 35 vjet që na trajtojnë si skllevër. Ne këta i njohim kush janë, i kemi njohur me kohë. Këta janë më keq se Lubia nuk ngopen. Ushqehen me mishin dhe kockat e shqiptarëve. Shqipëria e Shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, u shpreh ish-këshilltari i Berishës, Grid Rroji.

“Sot bëj thirrje që Altin Hila dhe të gjithë ata që janë burgosur të lirohen sa më shpejt. Dikush tjetër e meriton të jetë në burg, jo bijtë e nënave që dalin në protestë për të drejtën e tyre”, tha bashkëshortja e Altin Hilës.

“50 vjet dhunë. Boll më! Pushteti i ka mbyllur sytë, i ka mbyllur veshët, veç gojën e ka lënë me baltë. Lironi çunat! Mërgimi nuk është atdheu ynë”, tha aktori i ‘Marko from Tropoja’, Arben Bajraktaraj.

Pas fjalimeve, organizatorët thanë se nuk marrin përsipër marshimin, duke i lënë qytetarët të lirë. Me thirrje kundër politikës, flamuj e flakadanë, protestuesit marshuan në rrugët kryesore të kryeqytetit.

​Dita e 35-të e protestës në Tiranë, para kryeministrisë edhe qytetarë nga diaspora

Në Tiranë pasditen e së shtunës, në orën 19:00, nisi protesta e 35-të ku qytetarët kërkojnë largimin e qeverisë.

Me flamujt kombëtarë e ato të SHBA-së, protestuesit marshuan nga sheshi “Skëndërbej” drejt godinës së Kryeministrisë, ku protestuesit ritheksuan kërkesat e tyre.

Protesta e sotme është mbarëkombëtare ku është thirrur për të marë pjesë edhe diaspora.

Kërkesa kryesore e protestës mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe klasës aktuale politike. Organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kësaj kërkese, duke ftuar qytetarët të marrin pjesë masivisht.

Duke marrë fjalën njëri prej organizatorëve Dritan Goxhaj, tha se “sot në ditën e pavarësisë së SHBA, i urojmë popullit amerikan 250 vjetorin e pavarësisë’.

“SHBA aleate strategjike e Shqipërisë dhe mike e çmuar e popullit shqiptar. Kujtojmë një dokument më me ndikim, deklaratën e Pavarësisë që ishte shpallja e një parimi që frymëzon popujt anembanë botës se të gjithë njerëzit janë të barabartë dhe gëzojnë të drejta të patjetërsueshme. Kur të drejtat e njerëzve nuk mbrohen shoqëritë demokratike kanë të drejtë të kërkojnë ndryshime me mjete paqësore”, tha ai.

Ndërsa “Lironi protestuesit”, “Ju erdhi fundi”, ishin disa nga mesazhet që organizatorët kanë përcjellë në thirrjen e tyre për pjesëmarrje në protestë.

'Rama jepe dorëheqjen! Nis marshimi protestë, lumi i njerëzve vërshon në rrugët e Tiranës

Lumi i njerëzve nis marshimin protestë nëpër rrugët kryesore të Tiranës.

Me thirrjet 'Rama jepe dorëheqjen!' dhe "Lironi çunat!' do të jehonë në të gjithë Tiranë.

Në protestën mbarëkombëtare, kërkohet largimi i kryeministrit Edi Rama. Kësaj protesta i është bashkuar edhe Diaspora, duke bërë histori me një pjesëmarrje rekord.

“Diktatori i fundit”- Simbolika në protestën madhështore, qytetarët rrëzojnë bustin e Edi Ramës

Në protestën e zhvilluar në Tirana, në mënyrë simbolike është paraqitur një bust i kryeministrit Edi Rama.

Në të shkruhej “diktatori i fundit”, ndërsa në mënyrë simbolike ata e rrëzuan me litar dhe e shkelën e këmbë, duke e krahasuar me rrëzimin e bustit të ish diktatorit Enver Hoxha.

Organizatorët e kanë cilësuar protestën si një nga më të mëdhatë e zhvilluara në vend, me pjesëmarrje të gjerë nga qytetarë brenda vendit dhe nga diaspora.

Shpend Gashi: Kryeministri na largoi me urrejtje, por ne jemi mbledhur në shesh me dashuri për njëri-tjetrin! Mos bini pre e provokimeve

Gazetari Shpend Gashi theksoi gjatë fjalës së tij në protestën masive kundër qeverisë së Edi Ramës, ku merr pjesë edhe diaspora, se kryeministri i largoi me urrejtje ndërsa ata janë mbledhur në shesh me dashuri për njëri-tjetrin.

Ai iu bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve, ndërsa shtoi se protesta e madhe është investimi më i madh i jetës së tyre.

“Zemra mal kur iu shoh të gjithëve këtu. Ky zotëria që është kryeministër na ka larguar me urrejtje dhe ne jemi mbledhur me dashuri nga njëri-tjetri. Fuqia jonë më e madhe është dashuria. Mos bini pre e provokimeve.

Gjithë kjo gjë e madhe është investimi i të gjithë jetës tonë. Kërkesa ime është ju lutem largoheni nga provokimi dhe lironi çunat. “, tha ai.

“Largohu sa nuk është vonë!”/ Shqiptari nga diaspora i prerë, i rendit 4 pikat Ramës

Protesta e 35-të kombëtare kundër qeverisë së Edi Ramës ka vijuar me mesazhe të forta edhe nga shqiptarët e ardhur nga diaspora, të cilët kanë përsëritur kërkesën për largimin e kryeministrit dhe ndryshimin e sistemit politik në vend.

Nga podiumi i ngritur para Kryeministrisë, një prej përfaqësuesve të diasporës iu drejtua Edi Ramës me thirrjen “Largohu sa nuk është vonë”, ndërsa tha se qeveria ka zemëruar shqiptarët kudo që jetojnë.

“I ke zemëruar shqiptarët anembanë botës. Kërkesat tona t’i përsëris, dorëheqje pa kushte, hapi rrugë qeverisë tranzitore apolitike për të përfunduar tranzicioni.

Qeveria teknike të: garantojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të hyhet në zgjedhje me lista të hapura, numërim i i votave të jetë elektronik që zgjedhjet të mos vidhen dhe e fundit, auditim i administratës, sepse shumica janë patronazhistë”, tha ai.

I ati dhe vëllai iu arrestuan gjatë protestës, e bija e Frrok Bardhit: Nuk jam këtu për urrejtje por për drejtësi!

E bija e Frrok Bardhit, i cili u arrestua së bashku me të birin Everestin gjatë protestës, deklaroi se ndodhet në shesh jo për të nxitur urrejtje por për të kërkuar drejtësi për familjarët e saj dhe për të tjerët që mbahen në qeli.

Në protestën masive të 35-të kundër qeverisë, ku merr pjesë edhe diaspora, ajo deklaroi se drejtësia është një e drejtë e çdo qytetari.

“Babi dhe vëllai u dhunuan gjatë protestës. Jam krenare për ata të dy. Si bijë kjo më dhemb. Nuk jam këtu për urrejtje, por për të kërkuar drejtësi. Askush nuk duhet të dhunohet se merr pjesë në një protestë.

Ju bëj thirrje të ngremë zërin me dinjitet, qetësi e guxim. Drejtësia është e drejtë e çdo qytetari. “, tha ajo.

“Kur besimi qytetar cënohet, ndryshimi kërkohet me mjete paqësore”- Dritan Goxhaj uron Pavarësinë e SHBA

Gjatë protestës së sotme për dorëheqjen e kryeministrit Rama, aktivisti Dritan Goxhaj përcolli një mesazh urimi për popullin amerikan me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ne deklaratën që e lexoi në emër të organizatorëve të protestës, ai e cilësoi  SHBA-në një aleate strategjike të Shqipërisë dhe një mike të çmuar të popullit shqiptar.

Ai tha se kjo ditë sjell në vëmendje Deklaratën e Pavarësisë, të cilën e cilësoi si një nga dokumentet me ndikimin më të madh në historinë politike të botës.

“Sot në ditën e pavarësisë së SHBA i urojmë popullit amerikan 250 vjetorin e pavarësisë së tyre.

SHHBA është një aleate strategjike e  Shqipërisë dhe një mike e çmuar e popullit shqiptar që ka qëndruar pranë nesh në momentet me të rëndësishme të historisë tonë.

Në këtë ditë kujtojmë një nga dokumentet  me me ndikim në historinë politike të botës, deklaratën e pavarësisë. Ajo nuk ishte shpallja e  lindjes së një shteti të ri, por ishte shpallja e një parimi që vazhdon të frymëzojë popujt anë e mbanë botës, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se gëzojnë të drejta të patjetërsueshme, se qeveritë e marrin legjitimitetin nga pëlqimi i të qeverisurve dhe se qëllimi i tyre është mbrojtja e lirisë, dinjitetit dhe të drejtave të qytetarëve.

Deklarata e pavarësisë na kujton se pushteti nuk është prone e një qeverie, por një besim i dhënë nga qytetarët. Kur ky besim cënohet dhe kur të drejtat e njerëzve nuk mbrohen shoqëritë demokratike kanë të drejtën të kërkojnë ndryshimin me mjete paqësore dhe në përputhje me ligjin.

Këto janë vlera universale me të cilat janë ndërtuar demokracitë moderne”, tha Goxhaj.

U arrestua gjatë protestës te Kuvendi, gruaja e Altin Hilës: E kanë burgosur pa të drejtë!

Gruaja e Altin Hilës, protestuesit që u arrestua gjatë protestës së të enjtes përpara Kuvendit, deklaroi se bashkëshorti i saj është arrestuar pa të drejtë për shkak se ai kishte dalë për të protestuar për fëmijën e tyre të sëmurë.

Në një komunikim për News24, gruaja e Hilës, e cila i është bashkuar tubimit të sotëm masiv kundër qeverisë, ku merr pjesë edhe diaspora, deklaroi se i është dashur të lërë punën për t’u kujdesur për fëmijët për shkak se bashkëshorti i saj u vu në pranga nga policia.

“Kam dalë për burrin tim sepse e kanë burgosur pa të drejtë. Ai ka ardhur këtu me qëllimin e fëmijës së vet dhe ka protestuar qe ditën e parë. Kërkoj lirim sa më të shpejtë. Ishalla nesër gjykata e liron. Unë nuk ia dal dot vetëm me dy fëmijët e vegjël. Njërin e kam të paralizuar. Isha në punë kur Altini vinte në protestë por tani e kam lënë punën për fëmijët.”, deklaroi ajo.

Një falënderim pati edhe për të gjithë shqiptarët që dhuruan para përmes fushatës së GoFundMe që u hap, ku u mblodhën mbi 150 mijë euro për djalin e sëmurë, i cili është person me status invaliditeti.

“I falënderoj të gjithë shqiptarët. Kanë bërë mrekulli për fëmijën tim. 11 vjet po ia dal vetë, me kredi e çdo gjë por shqiptarët janë gjendur edhe për mua si nënë. I falënderoj të gjithë pa masë. Zoti i shpërbleftë dhe i begatoftë”, tha ajo.

“Të kam votuar, por tërheq votën time”- Emigranti i revoltuar me Ramën

Në protestën e sotme kombëtare për dorëheqjen e kryeministrit Rama marrin pjesë edhe shumë emigrantë që vijnë nga diaspora.

Njëri prej tyre u shpreh i revoltuar me kryeministrin Rama, duke deklaruar se e ka votuar, por është penduar.

Protestuesi paralajmeroi kryeministrin duke thënë se, nëse dorëheqja nuk do të ndodhë, “populli do të të marrë zvarrë”, si dhe shtoi se “Vlora po u ngrit do të të shkatërrojë për 24 orë”.

“Unë vij nga diaspora dhe vij nga Vlora. Dua ti them Ramës dhe Ballës, që na etiketojnë si korba dhe sorra, i them se ne nuk jemi të tillë. Ne jemi shqiptare. Ne kërkojmë drejtësi, kërkojmë jetën tonë të mohuar nga këta kriminelë.

Dikur të kam dhënë votën, por jam penduar. Mu thaftë ajo dorë që kam votuar për ty kriminel, sot unë votën time e revokoj dhe kërkoj dorëheqjen tendë. Nëse nuk e bën këtë, ne do të heqim me dhunë. Populli do të të marrë zvarrë.

Vlora po u ngrit do të të shkatërrojë për 24 orë. Dhe Vlora do të ngrihet, lumi do të vërshojë”, tha qytetari i ardhur nga diaspora posaçërisht për protestën.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat