LIVE: “Shqipëria kërkon revolucion, Parlament i krimit”/ Protestuesit marshojnë në rrugët e Tiranës, kërkojnë dorëheqjen e panegociueshme të Ramës

Shqipëria

LIVE: “Shqipëria kërkon revolucion, Parlament i krimit”/ Protestuesit marshojnë në rrugët e Tiranës, kërkojnë dorëheqjen e panegociueshme të Ramës

Më: 8 korrik 2026 Në ora: 07:58 Përditësuar në ora: 22:06 më 08.07.2026
Protesta kundër Ramës

39 ditë protestë në Tiranë, tubuesit me pankarta e thirrje kundër klasës politike, pas fjalimeve te Kryeministria marshojnë në kryeqytet

Mbahet sot në Tiranë protesta e 39-të.

Protestuesit janë grumbulluar si çdo mbrëmje në sheshin “Skëndërbej”, e më pas kanë marshuar drejt Kryeministrisë ku kanë nisur edhe fjalimet në podiumin e improvizuar para zyrës së Edi Ramës.

Me pankarta në duart, ata vijojnë thirrjet për qeveri tranzitore.

Protestuesit kanë shpalosur deri tani pesë kërkesa, mes të cilave janë edhe ndryshimet në Kushtetutë për Kodin Zgjedhor e po ashtu një tjetër kërkesë është edhe largimi i klasës aktuale politike.

Pas disa orësh para Kryeministrisë, ata kanë nisur marshimin nëpër rrugët e kryeqytetit.

Tubimi kundër kryeministrit/ “Spitalet pa ilaçe, çmimet e larta”, protestuesit njëzëri: Rama Jep dorëheqjen. Shqipëria po turpërohet me ty!

Protesta nuk ndalet. Për 39 ditë me radhë protestuesit kanë mbushur sheshin para Kryeministrisë. Shqiptarët kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama.

“Mirëmbrëma, ti Rama çdo ditë e më shumë po e damkos veten si njeriu më i padenjë që je ulur në atë post. Shqipëria nuk turpërohet se nuk këndon Kenie West, por turpërohet se në spitalet e shtetit nuk kryhen analiza javën e fundit të çdo muaji.  Shqipëria turpërohet se tek Onkologjiku ka trauma,  ndoshta çdo ditë. Aty mungo radioterapia, pajisje e pazëvendësueshme për trajtimin e kancerit të gjirit. Shqipëria turpërohet prej teje, sepse në inventarin e spitalit nuk ka një Scan dhe  të gjithë shqiptarët që vuajnë nga tumoret, detyrohen të paguajnë mbi 1 mijë e 500 euro. Turpërohet për arsimin që po degradon çdo ditë. Si nuk pate turp që i dhe 4 mln euro një këngëtari”, tha një protestues.

Një tjetër protestuese nga Franca i është bashkuar kësaj revolte, me thirrjen për largimin e Ramës.

“Jam lindur dhe rritur këtu. Vij nga Franca, jam bijë e këtij vendi. Vij me shpresë që të jetoj këtu. Ky vend po degradohet nga çmimet e larta, nuk ka mjekësi as asgjë. Çdo ditë flasin për Zvërnecin, për Vjosën, unë po flas për Golemin. Jam vajza e Golemit, që e kanë masakruar dhe e kanë prishur.  Nga para hotelit duket bukur, nga mbrapa duket keq. Jemi të zhgënjyer nga ky vend. Kanë 36 vite që i kanë pirë gjakun këtij populli. Mos u dorëzoni, çdo ditë e më shumë. Mos e torturo më popullin”, tha ajo.

Sheshi plot, shqiptarët në protestën e 39 kundër Ramës: Jep dorëheqjen

Protesta nuk ndalet. Për 39 ditë me radhë protestuesit kanë mbushur sheshin para Kryeministrisë.

Shqiptarët kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama.

Siç shihet edhe nga pamjet me dron sheshi është i mbushur plot. Me thirrjet “Rama jep dorëheqjen”, bëjnë thirrje që të mos përçahen por të vazhdojnë edhe më shumë të bashkuar deri në rrëzimin e kësaj qeverie që e akuzojnë për korrupsion.

Sheshi "Skënderbej" po mbushet sërish me protestues për tubimin e rradhës

Protesta ka hyrë në ditën e 39-të, teksa këmbëngulja qytetare për të rrëzuar klasën aktuale politike nuk ka ndaluar.

Gradualisht, sheshi “Skënderbej” po mbushet me protestues.

Ata prej fillimit të revoltës së tyre kanë ardhur me flamuj dhe pankarta me mesazhe kundër qeverisë.

Pritet të shihet nëse protesta e sotme para Kryeministrisë do të ketë përshkallëzime, pavarësisht thirrjeve të qytetarëve për një protestë paqësore.

Revolta e 39 kundër kryeministrit, protestuesit me thirrje kundër Ramës dhe Ballukut: Dorëheqje dhe në burg!

Mbahet sot protesta e 39 kundër kryeministrit Edi Rama. Shqiptarët njëzëri kërkojnë largimin e Ramës.

Gjithshtu protestuesit vijojnë me thirrjet e tyre “Rama në burg,Belinda në burg”. Një prej protestuesve hodhi akuza të forta ndaj qeverisë dhe disa zyrtarëve, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit , Ballukut dhe ndëshkimin e zyrtarëve që, sipas tij, mbajnë përgjegjësi për situatën në vend.

“Besim Voja, ai që ka rrahur protestuesit brenda. Besim Voja kriminel i Ramës. Na ka vënë gjoba ne… Rama të japë dorëheqjen sa më parë, mos e ço popullin në konfrontim.

Të shkojë në Izrael të japë dorëheqje. Se po të jetë këtu do e kapë SPAK-u. Ose do e kapim ne do e hedhim në kosh. Të japë dorëheqje se do e çosh popullin në luftë civile. Rama në burg Belinda në burg”, tha ai.

“Rama jep dorëheqjen, nuk na përfaqëson më” – aktivisti Xhemalaj: Kryeministri merr fondin e emergjencave për spektakël ndërsa pensionistët zgjedhin mes bukës dhe ilaçeve!

Në podiumin e ngritur përpara Kryeministrisë, në këtë ditë të 39-të të revoltës qytetare, ka mbajtur një fjalim mjaft prekës edhe protestuesi dhe aktivisti Ilir Xhemalaj. Ai ka vënë gishtin mbi plagët sociale të vendit, duke dënuar ashpër vendimin e kreut të qeverisë për të shpenzuar fondet e emergjencave publike për koncerte, ndërkohë që qytetarët vuajnë për bukën e gojës.

Xhemalaj u ndal gjatë te kriza ekonomike dhe braktisja e vendit nga të rinjtë, duke i bërë thirrje të drejtpërdrejtë kryeministrit Edi Rama që të japë dorëheqjen.

Aktivisti ngriti pikëpyetje të mëdha mbi prioritetet e qeverisë, duke sjellë në vëmendje vështirësitë ekstreme me të cilat përballen shtresat më në nevojë.

“Fondi rezervë është krijuar për emergjencat e qytetarëve. Më thoni, a ka emergjencë më të madhe se një nënë që nuk ushqen dot fëmijën e saj? Apo një i ri që detyrohet të largohet nga vendi për bukën e gojës? Apo një pensionist që duhet të zgjedhë mes bukës me djathë dhe ilaçeve të tij? Këtu lind pyetja, çfarë po i bën ky kryeministër këtij populli. Shqipëria kudo kërkon ndihmë, është derdhur në shesh!” u shpreh ai para turmës.

Xhemalaj sqaroi se revolta e qytetarëve nuk ka të bëjë me vetë eventet kulturore, por me faktin se paratë e shqiptarëve po keqpërdoren për fasadë, duke fshehur humbjen e shpresës së një brezi të tërë.

“Kryeministri zgjedh të marrë lekët e emergjencave dhe t’i japë për spektakël! Nuk duam të dimë sa ka kushtuar spektakli, por sa ka kushtuar humbja e shpresës së këtij brezi! Shteti është shtet kur asnjë nënë nuk qan për bukën e fëmijëve të saj, kur të rinjtë nuk braktisin vendin e tyre! Ne nuk protestojmë kundër muzikës, por për gjendjen ku ndodhet vendi! Kundër një pushteti që vjedh taksat tona për muzikë! Shqipëria ka lekë, por është e vjedhur!”

Në mbyllje të fjalës së tij, protestuesi listoi ato që duhet të ishin prioritetet reale të një shteti dhe kërkoi largimin e menjëhershëm të kreut të ekzekutivit.

“Ndaj, duhet t’i them kryeministrit që prioritet i vendit tonë është që këta të rinj të mos largohen, që pensionistët të dalin të shijojnë jetën si çdo pensionist në botë. Kryeministër jep dorëheqjen se nuk përfaqëson më këtë popull! Rama jepe dorëheqjen!” përfundoi ai mes duartrokitjeve të protestuesve.

“Po detyron edhe nxënës të shkojnë, e turpshme” Qytetari: Jo vetëm shqiptarët, por edhe të huajt e kanë bojkotuar koncertin. Rama dhe PS, do e mbushin me patronazhistët

Me thirrjet “Shqipëri e Re”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Edi Rama o tradhtar me Shqipërinë mos bëj Pazar”, protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë.

Njëzëri poshtë zyrës së kryeministrit kërkojnë dorëheqjen e tij.

“Rama jepe dorëheqjen”, do të kthehen në këngën e shqiptarëve.

“Jemi në shesh më të vendosur se kurrë për të kërkuar dorëheqje.  Protesta do vazhdojë pavarësisht kushteve atmosferike. Më e rëndësishme për ne është Shqipëria. Këtu jemi në mbrojtje të Shqipërisë. Kryeministrit tonë i kishte ardhur në urgjencë, i duhet ë akordonte 4 mln euro për koncertin e Kanye Ëest. Kjo qeveri që ka akuzuar protestuesit, fton një këngëtar që është i ndaluar në shumicën e vendeve të Europës. Ky vend ka kaluar tërmete, përmbytje zjarre masive dhe nuk i kemi pasur 4 mln euro për t’ja dërguar njerëzve të prekur, por i dërgojmë për atë koncert që nuk i duhet askujt. Shumë nxënës po merren mëzor që të shkojnë në koncert, e turpshme. Jo vetëm shqiptarët, por edhe të huajt e kanë bojkotuar atë koncert. Rama dhe PS, do e mbushin me të njëjtin njerëz që mbushen patronazhistët që erdhën te piazza italia edhe këtë të shtunë janë të detyruar të shkojnë. Kushdo që të shkojë atje të këndojnë himnin e shqiptarëve, Rama jep dorëheqjen”, tha qytetari.

Protestuesi i moshuar shpërthen ndaj Ramës për koncertin e Kanye West: I dha 4 miliardë lekë një rrepisti, unë e kam pensionin 112 mijë lekë!

Gjatë protestës së sotme në kryeqytet, vëmendjen e ka tërhequr reagimi i ashpër i një pensionisti, i cili ka komentuar vendimin më të fundit të qeverisë për alokimin e 4 milionë eurove (4 miliardë lekë të vjetra) nga fondi i emergjencave për organizimin e koncertit të Kanye West në Tiranë.

I moshuari ka bërë një krahasim mes shpërndarjes së fondeve publike për evente të tilla dhe gjendjes ekonomike të pensionistëve shqiptarë, duke hedhur dyshime të forta edhe për korrupsion.

Protestuesi dënoi me tone të ashpra sjelljen e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si mospërfillëse ndaj varfërisë së qytetarëve.

“Edi Rama ka filluar këto xhirot e famshme në Europë dhe me fodullëkun më të madh dhe mospërfillje i jep 4 miliardë lekë një rrepisti rrjepacak atje nga fondi i emergjencave, dhe unë e kam pensionin 112 mijë lekë. Nuk i jep lekë Edi Rama atij rrepistit dhe të mos fusë lekë në xhep, ajo nuk diskutohet,” deklaroi ai i revoltuar.

“Shqiptarët të dalin në shesh deri sa të shporret”/ Qytetarja-Ramës: Sorrat dhe korbat i ke në kabinetin tënd, gjysmën e ke edhe në burg!

Në protestën e 39 kundër kryeministrit Edi Rama, shqiptarët qëndrojnë të vendosur në kërkesën e tyre të panegociueshme, dorëheqjen e tij.

Një protestuese i është përgjigjur sulmeve të kryeministrit, i cili në reagimet e tij i quan protestuesit, korba e sorra, duke thënë se të gjithë këto i ka në kabinetin tij.

Gjithashtu bëri thirrje që shqiptarët të dalin masivisht në protestë deri sa kjo qeveri të largohet.

“Sorrat dhe korbat i ka në kabinetin e vet, i ka në Kryeministrinë e vet. Gjysmat i ka në burg. Shqiptarët të dalin në shesh deri sa të shporret”, ka thënë mes të tjerash ajo, duke u shprehur e revoltuar se duhet të largohen një herë e mirë.

Protesta e 39 kundër Ramës, nis organizimi i qytetarëve në sheshin “Skënderbej”, shqiptarët kërkojnë largimin e kryeministrit

Mbahet sot protesta e 39 kundër kryeministrit Edi Rama. Protestuesit kanë nisur organizimin në sheshin “Skënderbej” dhe më pas pritet të marshohet drejt Kryeministrisë.

Prej më shumë se një muaji shqiptarët kërkojnë largimin e Edi Ramës dhe fundin e modelit politik që, sipas tyre, ka mbajtur peng vendin.

Gjatë ditës së djeshme, protestuesit ritheksuan kërkesat që i konsiderojnë të panegociueshme: dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë, krijimin e një qeverie teknike tranzitore, reformimin e sistemit politik dhe shfuqizimin e ligjeve që, sipas tyre, favorizojnë interesat klienteliste.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat