Mbyllet protesta/ Protestuesit lenë shënimin gjigand në Bulevard!

Shqipëria

Mbyllet protesta/ Protestuesit lenë shënimin gjigand në Bulevard!

Më: 20 korrik 2026 Në ora: 07:31 Përditësuar në ora: 22:36 më 20.07.2026
Pamje nga protesta

Seanca e fundit e Parlamentit, protestuesit lenë shënimin gjigand në Bulevard dhe thërrasin tubimin më 23 korrik!

Në ditën kur Kuvendi zhvillon një nga seancat e fundit plenare para pushimeve, protestuesit kanë lënë një mesazh simbolik në bulevardin përpara Kryeministrisë.

Me germa të mëdha në shesh është shkruar “23 Korrik”, duke iu referuar thirrjes së radhës për qytetarët që të mblidhen në protestë në këtë datë.

Mesazhi është vendosur në hapësirën ku prej ditësh zhvillohen tubimet kundër qeverisë, ndërsa protestuesit kanë bërë thirrje për vijimin e rezistencës deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.

Kujtojmë se qytetarët u mblodhën edhe ditën e sotme para Parlamentit teksa zhvillohej një tjetër seancë plenare. Protestuesit nuk kursyen thirrjet ndaj deputetëve, të cilët i quajnë “deputetë të krimit”, si edhe goditjet me vezë ndaj tyre.

Edhe sot ata u përballën me një kordon të gjatë dhe të fortë sigurie nga forcat e policisë, të cilët penguar afrimin e tyre drejt ligjvënësve dhe godinës së Parlamentit.

“Ju erdhi fundi”- Protesta e 51-të para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

Mijëra qytetarë u mblodhën edhe sot në ditën e 51-të të protestës para kryeministrisë.

Me parulla, pankarta dhe thirrje, ata kërkuan dorëheqjen e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Pas fjalimeve para Kryeministrisë, ku u kërkua ndryshimi i klasës së vjetër politike dhe ardhjen e Gjeneratës Z, ata marshuan si përnatë rrugëve të Tiranës.

“Shqipëria kërkon revolucion”, “Ju erdhi fundi”, “Rama jepe dorëheqjen”, ishin disa nga thirrjet.

“Fundi i kësaj qeverie do kalojë edhe nga Balluku”- Aktivisti Edison Lika: Krimi dhe korrupsioni i saj do e rrëzojë pushtetin!

Aktivisti Edison Lika mori përsëri fjalën nga podiumi i protestës së 51-të para Kryeministrisë, duke deklaruar se fundi i kësaj qeverie do vinte edhe prej dosjes “Balluku”.

Ai vuri në dukje se edhe sot në Kuvend nuk u fol për dërgimin e dosjes dhe kërkesës nga SPAK për heqje të imunitetit të saj. Por ai bëri thirrje që qytetarët të qëndrojnë të bashkuar dhe të mos dorëzohen.

“Sot ka pasur Parlament dhe nuk është diskutuar nëse dosja e Belinda Ballukut ka shkuar. Ne e dimë se fundi i kësaj qeverie do të kalojë edhe nga Belinda Balluku. E di se korrupsioni dhe krimi i saj do ta mbulojë dhe rrëzojë edhe këtë qeveri”, tha Lika mes të tjerash.

Në fund ai deklaroi se thirrja që i bëjnë është që të burgosen dhe të japin llogari para drejtësisë.

“Thirrja jonë është Rama në burg Berisha në burg, por edhe Belinda Balluku në burg”, tha aktivisti Edison Lika.

51 ditë tubim në kryeqytet/ Nis grumbullimi i protestuesve në shesh, pritet marshimi drejt Kryeministrisë

Po mbahet sot në kryeqytet dita e 51-të e protestës.

Protestuesit, si çdo ditë tjetër, kanë nisur grumbullimin në sheshin Skënderbej, për t’u drejtuar më pas drejt Kryeministrisë, aty ku do të mbajnë edhe fjalimet.

Më herët gjatë paradites, disa protestues ishin të pranishëm te Kuvendi, aty ku po mbahej seanca plenare.

Ata kishin paralajmëruar një protestë paqësore, por goditën makinat e Gardës dhe deputetëve me vezë me emrin e tyre.

“Të ikin sa më parë këta qelbësira”- Qytetari në ditën e 51-të të revoltës: As pronat s’na i kompensuan!

Dita e 51-të e protestës dhe rezistencës së shqiptarëve në betejë për të larguar kastën e vjetër politike dhe rrëzuar qeverinë, mblodhi përsëri një masë të madhe qytetare në Tiranë.

Nga sheshi “Skënderbej”, qytetarët u shprehën të revoltuar me skandalet e qeverisë dhe gjendjen social-ekonomike.

Një prej tyre akuzoi për zhvatjen e pronave qeverinë dhe mungesën e kompensimeve, teksa tha se protestohet për shkak të skandaleve të qeverisë.

“Dalim në protestë për skandalet e qeverisë shqiptare. Duhet ta nisim nga Enver Hoxha në vitin 1945 me pronat, që na i mori. Pastaj në vitin 1991 u tha se do kompensoheshin sidomos pronat bregdetare. Mirë i morën, por ta na japin të hanë, se iku kjo, të paktën të na kompensohen. Dokumentet janë atje, të miat në Berat, por ne duam të kompensohemi, se mirë pronat na i morën”, tha ai.

Më tej akuzoi kryeministrin Edi Rama për keqqeverisje, teksa vuri në dukje rrogat dhe pensionet e ulëta. Ai iu përgjigj kryeministrit duke thënë se nuk ishin as korba dhe as sorra, duke kërkuar mirëqenie.

“Kryeministri bridh, Taulanti vendos. Ne kemi marrë fund, ndaj bëj thirrje me studentë, pensionistë e qytetarë që të marrin pjesë në protestë. Në Evopë edhe qentë pinë ujë, kurse këtu nga Kinostudio në Kombinat nuk ke një çezmë për t’u freskuar, s’ke ku hedh cigaren. Ne nuk jemi as korba e as sorra, mos na tegojë as kërriç e të tjera. Ne duam përkrahje sociale, këtu 40 mijë lekë, në Gjermani 400 euro, një pensionist këtu 70 mijë, jashtë 700 euro. As në autobus nuk ka kondicionerë. Kaq kisha, të ikin sa më parë këto qelbësira”, tha ai.

Shqiptarët nuk ndalin rezistencën, kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës

Rezistenca qytetare hyn sot në ditën e 51-të të saj, duke shënuar një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë pluraliste në këto 35 vite.

Mijëra qytetarë shqiptarë mblidhen çdo natë në bulevardin para Kryeministrisë ku mbajnë fjalime dhe më pas marshojnë rrugëve të Tiranës, duke sensibilizuar. Ndërsa kërkesa e tyre mbetet një dhe e pa ndryshueshme, largimi i qeverisë dhe dorëheqja e pa negociueshme e kryeministrit Edi Rama.

Protestuesit u mblodhën edhe dje, në ditën e 50-të të protestës kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, me një pjesëmarrje masive.

Protesta nisi në orën 19:00 me grumbullimin e pjesëmarrësve në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas ata marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime dhe u përsëritën thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit.

Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit vijuan marshimin në rrugët e kryeqytetit, duke brohoritur slogane si “Poshtë patronazhistët”, “Edi Rama, jep dorëheqjen”, “Parlament analfabet” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”.

Gjatë marshimit u dëgjuan gjithashtu thirrje që kërkonin arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si edhe slogane të tjera politike.

Organizatorët dhe pjesëmarrësit deklarojnë se protesta do të vijojë edhe në ditët në vijim, duke theksuar se do të vazhdojnë mobilizimin e tyre deri në realizimin e kërkesave që kanë paraqitur.

Sot dita e 51-të e revoltës kundër qeverisë Rama, qytetarët zhvendosin protestën para Kuvendit

Revolta qytetare kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama ka hyrë në ditën e 51-të. Qytetarët do të mblidhen ditën e sotme para godinës së Kuvendit, ku do të mbahet seanca plenare, e parashikuar të nisë në orën 12:00.

Protesta para Kuvendit u paralajmërua dje. Një aktivist tha se qytetarët nuk ndihen të përfaqësuar nga Parlamenti aktual. Sipas tij, veç protestës se 20 korrikut, do të zhvillohet edhe një tubim tjetër më 23 korrik, në seancën e fundit të këtij sesioni parlamentar.

Qytetarët pritet të mblidhen edhe në orën 19:00, sikurse ditët e tjera, edhe përpara Kryeministrisë. Ata shprehen të vendosur se nuk do të largohen nga Bulevardi para godinës së qeverisë derisa kryeministri të japë dorëheqjen, e cila është një nga kërkesat e tyre të panegociueshme që artikulojnë në protestë.

Protestuesit mblidhen në sheshin “Skënderbej” dhe më pas vijojnë drejt Kryeministrisë, ku artikulojnë problemet me të cilat përballen. Krahas dorëheqjes, qytetarët i bëjnë thirrje edhe SPAK  që të veprojë kundër kryeministrit Rama, ndaj ish vartëses së tij Belinda Balluku, por ata gjithashtu kanë kërkuar edhe arrestimin e liderit të opozitës, Sali Berisha.

“Poshtë patronazhistët”, “Edi Rama, jep dorëheqjen”, “Parlament analfabet” “Shqipëria kërkon revolucion”, “Arrestoni Ramën”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëri e re”, janë disa nga thirrjet e qytetarëve.

Në ditën e 51-të të protestës, qytetarët mblidhen sërish sonte në Tiranë

Qytetarët do të mblidhen edhe sonte në Tiranë, duke shënuar ditën e 51-të radhazi të protestës.

Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive, duke theksuar se tubimi do të zhvillohet në mënyrë paqësore.

Sipas tyre, protesta synon të përcjellë edhe një herë kërkesat dhe pakënaqësitë e qytetarëve ndaj institucioneve.

Pjesëmarrësit pritet të mbajnë pankarta dhe të adresojnë mesazhe lidhur me kauzën e tyre.

Organizatorët kanë deklaruar se do të vazhdojnë mobilizimin edhe në ditët në vijim, derisa kërkesat e tyre të marrin përgjigje.

Ndërkohë, autoritetet pritet të angazhohen për mbarëvajtjen e tubimit dhe ruajtjen e rendit publik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat