Protesta në Tiranë në ditën e 77-të, marshim nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë
Tubimet e organizuara në kryeqytet kanë shënuar sot ditën e tyre të 77-të me radhë.
Me pankarta në duar dhe thirrje të vazhdueshme, protestuesit janë grumbulluar fillimisht në sheshin “Skënderbej”, i cili ka shërbyer edhe si pika e nisjes për tubimin e sotëm.
Më pas, protestuesit i janë drejtuar përmes një marshimi bulevardit kryesor për t’u ndalur përpara godinës së Kryeministrisë, raporton RTSH.
Disa prej përfaqësuesve dhe pjesëmarrësve në tubim kanë mbajtur fjalime me tone kritike ndaj ekzekutivit dhe klasës politike në përgjithësi.
“Mos kini frikë t’i bashkoheni kësaj lëvizje”- Aktivistja Vatnikaj: Rama është në ikje, një gjë është e garantuar, nuk do vijë një autokrat apo trafikant!
Aktivistja Sidorela Vatnikaj ka folur në protestën e 77-të kundër qeverisë, duke bërë thirrje për bashkim dhe pjesëmarrje në lëvizjen qytetare.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve të mos kenë frikë t’i bashkohen protestës, duke iu referuar edhe shqetësimit se çfarë do të ndodhë pas largimit të qeverisë aktuale.
Sipas saj, bashkimi i qytetarëve është mënyra për të penguar sundimin nga klasa aktuale politike, që sic tha ajo eshte e korruptuar prej 36 vitesh.
“Jemi këtu sepse më në fund kemi gjetur besimin tek njëri tjetri. Janë njerëz që nuk i keni parë më përpara, mund të kenë fe të ndryshme, mund të kenë arsimim të ndryshëm, por kërkojnë një jetë më dinjiteti. Mos keni frikë ti bashkoheni kësaj lëvizje me frikën se kush do të vijë pas këtij që është në ikje. I vetmi garant është që nuk do vijë një autokrat, një trafikant. Për aq kohë sa jemi bashkë nuk mund të na sundojnë më as hajdutët, as oligarkia dhe as krimi. Prandaj edhe sot jemi me besim vetëm tek njëri tjetri për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe të klasës politike të korruptuar në 36 vite”, tha aktivistja.
“Rruga e Ramës drejt SPAK”- Diaspora mbush sheshin, qytetari: Socialistët e ndershëm t’i venë gishtin kokës! Opozita duhet të demokratizohet
Në protestën e 77-të kundër qeverisë, një prej qytetarëve u bëri thirrje socialistëve të ndershëm të mos mbështesin qeverinë, ndërsa kërkoi edhe një rol më të madh të diasporës në opozitë.
Ai kërkoi gjithashtu që opozita të demokratizohet dhe të hapë dyert për figura të reja.
Protestuesi kërkoi hetimin e kryeministrit Edi Rama nga organet e drejtësisë: “Rama ka vetëm një rrugë dhe rruga quhet SPAK”, u shpreh ai.
“I bëj thirrje grupit të socialistëve, nëse kanë ndërgjegje të gjithë socialistët e ndershëm t’i vënë gishtin kokës para se s’i japin votën kësaj bande. Opozita duhet të demokratizohet, të hapë dyert të marrë njerëz më të mirë. Nuk mund të lë pa përmendur edhe Diasporën që është nderi dhe dinjiteti i Shqipërisë. Do i lutesha grupit organizator që t’i hapin dyert Diasporës sepse ka njerëz me dinjitet. Diaspora propozon regjistrin e transparencës…Nëse dalin me pensionistë me tre hotele e vila sigurisht duhet të ketë verifikim. Rama ka vetëm një rrugë dhe rruga quhet SPAK”, tha ai.