Mbyllet protesta e 78-të kundër qeverisë, protestuesit dhe diaspora fjalime dhe ironi kundër kryeministrit Rama

Shqipëria

Mbyllet protesta e 78-të kundër qeverisë, protestuesit dhe diaspora fjalime dhe ironi kundër kryeministrit Rama

Më: 16 gusht 2026 Në ora: 16:59 Përditësuar në ora: 22:44 më 16.08.2026
Pamje nga protesta

“Asnjë forcë nuk na largon nga sheshi!” – Mbyllet protesta e 78-të kundër qeverisë

Për të 78-tën ditë, qytetarët zbritën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara Kryeministrisë, duke kërkuar largimin e Edi Ramës. Edhe sot, të pranishëm ishin edhe shumë shqiptarë që jetojnë në diasporë.

Qytetarët artikuluan keqqeverisjen, korrupsionin dhe probleme të tjera, ndërsa ripërsëritën thirrjet kundër kryeministrit, duke e cilësuar si një “tradhtar” dhe “armik”, i cili po shet Shqipërinë.

Që në nisje të protestës, njëri prej të pranishmëve, denoncoi qëllimet e qeverisë për të shuar dhe shpërndarë protestën e tyre.

“Njerëzit më të afërt me kryeministrin i kanë dhënë fjalën se do ta shpërndajnë këtë protestë pa ardhur shtatori dhe është momenti me qëndresën tonë që t’i tregojmë se nuk ka forcë që e largon këtë popull nga ky shesh pa të larguar ty.”, tha ai.

Nuk munguan as ironitë ndaj sulmeve të kryeministrit kundrejt protestuesve.

“Si nuk kam parë asnjë sorrë në shesh. Kam parë vetëm flamingo dhe shqiponja. Sorrat janë të ulura në karriget e pushtetit. “, tha një protestuese.

Një tjetër kërkoi që SHBA të shpallë non grata të gjithë qeveritarët.

“Ambasadori amerikan dhe DASH të gjithë qeveritarëve t’u bëjnë non grata pa afat dhe familjeve të tyre.”, u shpreh një tjetër.

Denoncimi i protestuesit: Kryeministri kërkon ta shpërndajë protestën para Shtatorit!

Një aktivist denoncoi nga sheshi para Kryeministrisë qëllimet e qeverisë për të bërë të mundur shuarjen e protestës qytetare, e cila sot shënon ditën e 78-të.

Teksa mori fjalën, ai tha se njerëz të afërt pranë kryeministrit i kanë premtuar atij shuarjen e protestës para shtatorit. Ai iu bëri thirrje qytetarëve që të qëndrojnë në rezistencën e tyre deri në largimin e tij.

“Qëllimi për të cilin kemi dalë në shesh është vetë Shqipëria.

Njerëzit më të afërt me kryeministrin i kanë dhënë fjalën se do ta shpërndajnë këtë protestë pa ardhur shtatori dhe është momenti me qëndresën tonë që t’i tregojmë se nuk ka forcë që e largon këtë popull nga ky shesh pa të larguar ty.”, tha ai.

“Rama premtoi shumë për rininë, por i largoi” – Protestuesi: Dha 4.2 milionë euro për tallava, por zjarrfikëset janë të vjetra!

Një protestues iu bëri thirrje të gjithëve që të dalin në shesh për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama nga pushteti.

Duke folur për News24, ai deklaroi se Edi Rama dhe Sali Berisha kanë rënë dhe se nuk kanë më legjitimitet. Sipas tij, Rama erdhi në pushtet me premtime të mëdha për rininë, por në fakt e vetmja gjë që ka bërë ka qenë largimi i tyre.

Qytetari tha se kryeministri godet bizneset e ndershme, duke shtuar se dërgon inspektorë në mes të sezonit turistik. Duke u ndalur te zjarret, ai tha se ndërsa qeveria jep 4.2 milionë euro për një koncert, në Krujë nuk kishte zjarrfikëse të reja.

“78 ditë në protestë. Po ta llogarisësh nga një deputet përditë do të thotë 78. Ne kemi qeverinë tashmë. Edi Rama dhe Berisha kanë rënë. Janë deligjitimuar. Kanë ngritur një sistem për grabitjen e pronës. Berisha me Piramidat e Gërdecin. Kanë shkatërruar Shqipërinë dhe kanë larguar rininë.

Diaspora duhet të vijë çdo muaj për t’ju thënë se ju jeni ata që na larguat. Edi Rama erdhi me premtime të mëdha. Do të hapte 300 mijë vende pune. Por trefishin e tyre i largoi. Sot i tall pensionistët me 50 mijë lekë. Unë iu bëj thirrje pensionistëve se kjo nuk është protestë e Saliut. A e patë çfarë ndodhi në Kuç?

Këtu duhet të jenë të gjithë qytetarët. Të rinjtë shumë kanë ikur. Edi Rama premtoi shumë për rininë. Por i largoi. Promovoi alfabetizmin me Zegjinenë. Fëmijët nuk kanë ku të luajnë. Arsimin e shkatërroi. Mazniku ha biftekun 1 mijë euro te Nusreti ndërsa pensionistët zgjedhin midis bukës dhe ilaçeve.

Biznesmenët e ndershëm mundohet t’i godasë. Tani që buron sezoni çon inspektoriatin në bregdet. 4.2 milionë euro i çoi për tallava. Në Krujë ishte një zjarrfikëse e kohës së qepës. Sot qytetarët nuk kanë mundësi të jetojnë.“, tha ai.

Dita e 78-të e protestës, qytetarët mblidhen para Kryeministrisë

Ka nisur marshimi drejt Kryeministrisë, në protestën e 78-të të zhvilluar në Tiranë. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij, duke vijuar kundërshtimin ndaj klasës politike.

Edhe në protestën e sotme, ashtu si një ditë më parë, pjesë e tubimit është edhe Diaspora. Të shtunën, shqiptarë të ardhur nga vende të ndryshme të botës iu bashkuan protestës, duke mbushur bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Për protestuesit, kërkesa për largimin e qeverisë dhe kundërshtimi ndaj klasës politike vijojnë prej javësh, pavarësisht temperaturave të larta dhe sezonit veror.

Marshimi po vijon në drejtim të Kryeministrisë, ku pritet të zhvillohet protesta e radhës.

Sot, dita e 78-të e protestës: Diaspora i bashkohet sërish tubimit në Tiranë

Protesta qytetare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama shënon sot, më 16 gusht, ditën e saj të 78-të të qëndresës, ndërsa në shesh pritet sërish një pjesëmarrje e konsiderueshme e qytetarëve dhe shqiptarëve të ardhur nga diaspora.

Kjo është dita e tretë me radhë që emigrantë shqiptarë nga vende të ndryshme të botës i janë bashkuar masivisht tubimit në Tiranë.

Shumë prej tyre kanë zgjedhur që ardhjen në atdhe gjatë sezonit të pushimeve ta kthejnë edhe në një aktivizim të drejtpërdrejtë, për t’u bërë pjesë e thirrjeve kundër qeverisjes aktuale.

Gjatë ditëve të fundit, bashkatdhetarët e ardhur nga jashtë vendit kanë deklaruar nga platforma e protestës se largimi drejt vendeve evropiane nuk duhet të jetë e vetmja rrugëzgjidhje për rininë dhe familjet shqiptare.

Sipas tyre, Shqipëria duhet të garantojë kushtet e nevojshme ekonomike dhe sociale që qytetarët të mund të ndërtojnë të ardhmen dhe të punojnë me dinjitet në vendin e tyre.

Protestuesit konfirmojnë se rezistenca do të vazhdojë pa u ndalur deri në plotësimin e kërkesës së tyre kryesore dhe të panegociueshme: dorëheqjen e kryeministrit Edi Ramës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat