Vrasje në Ksamil, 20-vjeçari francez qëllohet me thikë në shezlongët e plazhit!

Shqipëria

Vrasje në Ksamil, 20-vjeçari francez qëllohet me thikë në shezlongët e plazhit!

Më: 18 gusht 2026 Në ora: 07:40 Përditësuar në ora: 10:03 më 18.08.2026
Fotoilustrim

Vrau të riun francez në Ksamil, autori dyshohet se ishte roje plazhi! E goditi disa herë me thikë!

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Ksamil, ku humbi jetën 20-vjeçari francez Miguel Mendes, pasi u godit me thikë.

Sipas burimeve, nga këqyrja e trupit në morgun e Sarandës është konstatuar se i riu kishte marrë disa goditje me thikë në shpinë dhe në kraharor. Për shkak të plagëve të marra, vdekja e tij ka qenë e menjëhershme.

Ndërkohë, policia ka identifikuar autorin e dyshuar të ngjarjes. Bëhet fjalë për 29-vjeçarin Sokrat Vata, banues në Has, i cili ende nuk është bërë i mundur të kapet.

Sipas të dhënave paraprake, shkak i konfliktit dyshohet të ketë qenë një femër. 20-vjeçari francez ndodhej në Ksamil së bashku me një grup turistësh francezë, ndërsa Vata ishte i punësuar si roje plazhi.

Policia vijon kërkimet për kapjen e autorit të dyshuar dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes së rëndë.

Vrau 20-vjeçarin në Ksamil dhe u arratis nga vendngjarja, kush është Sokol Vata, i dënuar në Angli për trafik droge

Detaje të reja dalin nga vrasja e 20-vjeçarit francez, Migel Mendes, në Ksamil. I riu u gjet i pajetë rreth orës 05:15 në shezlongët e një plazhi, përpara një lokali, ndërsa dyshimet e para të Policisë janë se ai është goditur me thikë pas një konflikti.

Në qendër të hetimeve është 29-vjeçari Sokrat Vata, banues në Has, i cili dyshohet se është autori i ngjarjes.

Sipas informacioneve paraprake të Policisë, Vata është larguar menjëherë pas konfliktit dhe aktualisht shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij.

29-vjeçari dyshohet se ka një të kaluar kriminale në Britaninë e Madhe. Ai është arrestuar dhe dënuar në Angli në vitin 2024 për trafik droge.

Kush është Sokol Vata?

Sokrat Vata u arrestua në Angli pasi u përfshi në dy raste të ndjekjes nga policia, të lidhura me trafikimin e kokainës dhe drejtimin e rrezikshëm të automjeteve.

Në 30 prill, policia në Kembrixh e pikasën duke drejtuar një makinë tip Toyota të vjedhur. Vata tentoi të largohej, por pasagjeri zbriti nga makina dhe ai vijoi arratinë në këmbë. Gjatë ndjekjes, hodhi një pako kokainë në shkurre, por u kap nga policia. Me vete iu gjetën edhe 560 paund, ndërsa rezultoi pozitiv në testin për drejtim automjeti nën efektin e drogës.

Ndërkohë, në një rast tjetër në Kent, më 13 prill, Vata nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe përplasi një automjet me targa të klonuara. Në makinë u gjetën qese me kokainë dhe targa.

Vata u arrestua më pas dhe përfundoi përpara Gjykatës së Kurorës së Kembrixhit, ku pranoi akuzat për posedim të drogës së klasit A me qëllim furnizimin, drejtim të rrezikshëm të automjetit, posedim kanabisi dhe drejtim nën efektin e drogës. Ai u dënua me pesë vite burg.

Vrasje në Ksamil, 20-vjeçari francez qëllohet me thikë në shezlongët e plazhit!

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm (18 gusht) në Ksamil, ku një i ri francez rreth 20 vjeç është vrarë me thikë.

Sipas policisë, i riu me iniciale M.M është gjetur pa shenja jete në shezlongët e një plazhi, pranë një lokali.

Blutë e Sarandës dyshojnë se 20-vjeçari është përfshirë në një konflikt për motive të dobëta dhe më pas është goditur me thikë nga shtetasi S. V., 29 vjeç, banues në Has.

Pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes. Shërbimet e Policisë kanë nisur kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij. Ndërkohë vijon puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ksamil/Informacion paraprak

Rreth orës 05:15, në shezlongët e plazhit, para një lokali në Ksamil, është gjetur pa shenja jete shtetasi francez M. M., rreth 20 vjeç, i cili dyshohet se është goditur me mjet prerës (thikë).

Nga veprimet paraprake dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, 20-vjeçari është goditur me mjet prerës nga shtetasi S. V., 29 vjeç, banues në Has, i cili është larguar menjëherë pas ngjarjes.

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Ndërkohë, Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat