Sot 80 ditë nga nisja e protestës historike/ “Revolucioni i Flamingove” që nuk po ndalet!

Shqipëria

Sot 80 ditë nga nisja e protestës historike/ “Revolucioni i Flamingove” që nuk po ndalet!

Më: 18 gusht 2026 Në ora: 07:50 Përditësuar në ora: 19:57 më 18.08.2026
Fotoilustrim

80 ditë protesta kundër qeverisë, qytetari: Dorëheqja e Ramës e panegociueshme, në shtator edhe më shumë

Sot dita e 80-të e protestës kundër qeverisë, ku qytetarët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe largimin e qeverisë së tij.

Në protestë ishte edhe profesori i artit Everest Ymeraj, i cili deklaroi për 'News 24' se ka qenë pjesë e tubimeve prej 80 ditësh dhe se do të vazhdojë të protestojë.

“Dita e 80-të që marr pjesë dhe do të jem pjesë e protestës deri në ditët e fundit. Kërkoj çdo ditë të respektohen të drejtat e njeriut dhe ligjet. Shqetësimet tona janë të gjithanshme. Duhet të kuptojmë hallet e njëri-tjetrit dhe të lëmë mënjanë xhelozinë dhe inatin. Kërkesa jonë është dorëheqja e panegociueshme e Edi Ramës. Kriza civile dhe institucionale në Shqipëri është emergjente. Zyrat e shtetit nuk funksionojnë”, tha Ymeraj.

Ai u ndal edhe te mungesa e artistëve në protestë, duke pretenduar se shumë prej tyre janë të dekurajuar dhe druhen të marrin pjesë për shkak të paragjykimeve.

“Shumë artistë janë të fyer, të dekurajuar. Më vjen keq që shumë kolegë të mi nuk janë në shesh. U bëj thirrje të reagojmë ndaj të keqes. Kanë frikë të marrin pjesë në protesta, pasi kanë frikë edhe se mos paragjykohen”, deklaroi qytetari.

Protestuesi paralajmëroi gjithashtu një pjesëmarrje masive gjatë muajit shtator, duke theksuar se pret që protestave t’u bashkohen më shumë të rinj.

“Shtatori do të jetë i fuqishëm, do të vijë rinia. U bëj thirrje që, nëse nuk reagojmë sot, nesër do të jetë shumë vonë. Është rasti më i volitshëm për të hequr një të keqe”, u shpreh profesori.

Sot 80 ditë nga nisja e protestës historike/ “Revolucioni i Flamingove” që nuk po ndalet!

Sot shënohen 80 ditë nga nisja e protestës qytetare kundër qeverisë, me qytetarë që prej 80 ditësh dalin çdo ditë në bulevard për të shprehur pakënaqësinë e tyre.

Kërkesa kryesore e protestuesve është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa një tjetër kërkesë e artikuluar prej tyre është ndryshimi i klasës politike në vend.

“Revolucioni i Flamingoveve” nisi fillimisht si një lëvizje kundër ndërtimit të një resorti turistik në Zvërnec. Me kalimin e ditëve, protesta mori një dimension më të gjerë dhe kërkesat u shtrinë në çështje politike dhe qeverisëse.

Në protestat e zhvilluara gjatë këtyre 80 ditëve kanë marrë pjesë herë pas here edhe shqiptarë nga diaspora, duke shprehur mbështetjen e tyre për lëvizjen qytetare.

Protesta ka tërhequr gjithashtu vëmendjen e mediave të huaja, ndërsa mbështetje dhe reagime në favor të protestuesve janë shprehur edhe nga organizata dhe parti politike në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.

Pas 80 ditësh, lëvizja vijon të mbajë të njëjtat kërkesa kryesore, ndërsa protestuesit deklarojnë se do të vazhdojnë të dalin në bulevard deri në përmbushjen e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat