80 ditë protesta kundër qeverisë Rama, qytetarët lënë mesazhin e fortë në bulevard: “Dorëheqje”

Shqipëria

80 ditë protesta kundër qeverisë Rama, qytetarët lënë mesazhin e fortë në bulevard: “Dorëheqje”

Më: 18 gusht 2026 Në ora: 19:54 Përditësuar në ora: 23:07 më 18.08.2026
Mesazhi i protestuesve në ditën e 80-të: “Dorëheqje”

Dita e 80-të e revoltës, protestuesit i lënë mesazh kryeministrit në bulevard: Dorëheqje!

Pasi mbyllën fjalimet në ditën e 80-të të protestës, qytetarët kanë nisur marshimin e përnatshëm nëpër rrugët e kryeqytetit.

Para nisjes së marshimit, protestuesit kanë lënë një tjetër mesazh për kryeministrin në bulevardin e Tiranës. Me shkronja të mëdha, ata kanë shkruar fjalën “Dorëheqje”, duke përsëritur kështu kërkesën e tyre kryesore.

Gjatë protestës, qytetarët janë shprehur të vendosur se nuk do të ndalen dhe nuk do të largohen nga rrugët deri në dorëheqjen e kryeministrit.

Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit kanë vijuar marshimin nëpër rrugët e kryeqytetit, duke përcjellë mesazhin e tyre dhe duke kërkuar ndryshim.

“Edvin Pablo Escobar…” – Qytetari ironi me kryeministrin: Shqipëria nuk trembet nga hajdutët!

Një qytetar bëri ironi me kryeministrin Edi Rama, duke e krahasuar me Pablo Escobar.

Nga sheshi, në ditën e 80-të të protestës, protestuesi iu drejtua Ramës si “Edvin Pablo Ram Escobar”, ndërsa e cilësoi atë së bashku me Sali Berishën si ‘mafiozët” e vendit.

“I bëj thirrje Edvin Ramës, Edvin Pablo Ram Escobar, Shqipëria nuk trembet nga hajdutët. Të largohet dhe të hapë një portë të re. Rinia të ecë përpara. Edi Ram mafioz, Sali Berisha mafioz.

Ata do të largohen”, tha qytetari.

Braktisi PS, Marjana Koçeku iu bashkohet qytetarëve sërish në shesh kundër kryeministrit Rama

Në Tiranë po mbahet protesta e 80-të para Kryeministrisë, ku qytetarë vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Protestuesve u është bashkuar sërish edhe deputetja e pavarur, Marjana Koçeku, e cila më herët braktisi Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste. Koçeku ka dalë në shesh për të mbështetur kërkesën për dorëheqjen e Ramës.

Deputetja ka qenë vazhdimisht kritike ndaj kryeministrit dhe qeverisë, veçanërisht pas vendimit të saj për t’u larguar nga Partia Socialiste dhe për t’iu bashkuar protestave.

Edhe në protestat e mëparshme, Koçeku është shfaqur pranë qytetarëve, duke bërë të qartë qëndrimin e saj kundër qeverisjes së Edi Ramës.

Protesta e sotme shënon protestën e 80-të të zhvilluar para Kryeministrisë, ndërsa qytetarët vijojnë të kërkojnë ndryshime politike dhe dorëheqjen e kryeministrit

“Fundi i Edi Ramës është i afërt!” – 80 ditë rezistencë, qytetari nga sheshi: SPAK ta arrestojë bashkë me Belindën, janë koka e krimit dhe korrupsionit

Një qytetar, teksa mori fjalën në protestën para Kryeministrisë, tha se për 80 ditë kanë treguar se qeveria dhe propaganda e saj janë të pafuqishme përpara popullit.

Ai u shpreh i bindur se fundi i Edi Ramës është i afërt. Protestuesi i bëri gjithashtu thirrje SPAK që të arrestojë kryeministrin dhe ish vartësen e tij, Belinda Balluku, duke i cilësuar si koka e krimit dhe korrupsionit.

“80 ditë dhe fundi i Edi Ramës është i afërt dhe i sigurt. Për 80 ditë shqiptarët dhe Shqipëria ka krijuar një busull që ndodhet në këtë shesh. Përveç këtij sheshi, kemi edhe një busull tjetër, të gjithë mercenarët që punojnë për Edi Ramën. Ata që e thonë vetëm kthejeni mbrapsht dhe ndiqeni. Për 80 ditë janë munduar të na imponojnë teza të ndryshme, harrojnë se për 13 vjet ato teza dështuan. Kishin çdo mjet në dorë për ta bërë Shqipërinë por nuk e bënë.

Tani që kanë humbur çdo legjitimitet popullor po përpiqen për të na orientuar se çfarë duhet të bëjmë. Për 80 ditë kjo protestë ka nxjerrë n pah pafuqinë që ka qeveria para popullit,. Me këtë rezistencë e kemi treguar se makineria e propagandës para këtij populli lirie është e pafuqishme. “, tha ai.

Vrasja e turistit portugez, aktivistja Vatnikaj nga protesta: Model i kriminalizimit që ka sjellë klasa politike 36-vjeçare!

Aktivistja Sidorela Vatnikaj, teksa mori fjalën në protestë, komentoi ngjarjen e rëndë të ndodhur në Ksamil, ku u vra një turist portugez.

Ajo theksoi se kriminalizimi i shoqërisë ka ardhur për shkak të kësaj politike 36-vjeçare. Aktivistja shtoi se teksa protestojnë në shesh, nuk luftojnë vetëm korrupsionin, por edhe krimin e qeverisë që ka marrë peng vendin.

“Sot Shqipëria u zgjua me një lajm të tmerrshëm, një turist vetëm 20 vjeç u vra në Ksamil ku kishte zgjedhur për të kaluar pushimet.

E them këtë jo vetëm për dhimbjen që sjell ikja e një jete të re, por ky moment i kriminalizimit të shoqërisë është modeli që na ka sjellë kjo qeverisje 36 vjeçare. Modeli i të fortit me armë dhe thikë në brez që nuk njeh ligj e autoritet dhe kërcënon qytetarin edhe për një vend parkimi dhe shezlong. Ky model ku krimineli është zoti i tokës, i malit, detit dhe vendeve të parkimit dhe i parlamentit, aty ku e ka futur Edi Rama, është model që na ka nxjerrë për 80 ditë në shesh.”, tha ajo.

Protestuesit mesazhe me pankarta: Rama do të japë llogari, vetëm populli mund ta çojë në pushime

Qytetarët kanë përcjellë mesazhe të forta përmes pankartave, ndërsa shënojnë ditën e 80-të të revoltës së tyre kundër qeverisë së Edi Ramës.

“Drejtorët firmosin, oligarkët grabisin!”, “Drejtorët numërojnë prokurimet, qytetarët numërojnë lekët për të mbijetuar” thuhet në disa pankarta.

Në një tjetër, theksohet se kryeministri Edi Rama nuk e ka aktivizuar fondin e emergjencës së BE-së për zjarret, ndërsa bëhet thirrje për të qëndruar të vetëdijshëm sepse vetëm populli mund ta çojë atë me pushime.

Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu!

80 ditë protesta kundër qeverisë, qytetari: Dorëheqja e Ramës e panegociueshme, në shtator edhe më shumë

Sot dita e 80-të e protestës kundër qeverisë, ku qytetarët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe largimin e qeverisë së tij.

Në protestë ishte edhe profesori i artit Everest Ymeraj, i cili deklaroi për 'News 24' se ka qenë pjesë e tubimeve prej 80 ditësh dhe se do të vazhdojë të protestojë.

“Dita e 80-të që marr pjesë dhe do të jem pjesë e protestës deri në ditët e fundit. Kërkoj çdo ditë të respektohen të drejtat e njeriut dhe ligjet. Shqetësimet tona janë të gjithanshme. Duhet të kuptojmë hallet e njëri-tjetrit dhe të lëmë mënjanë xhelozinë dhe inatin. Kërkesa jonë është dorëheqja e panegociueshme e Edi Ramës. Kriza civile dhe institucionale në Shqipëri është emergjente. Zyrat e shtetit nuk funksionojnë”, tha Ymeraj.

Ai u ndal edhe te mungesa e artistëve në protestë, duke pretenduar se shumë prej tyre janë të dekurajuar dhe druhen të marrin pjesë për shkak të paragjykimeve.

“Shumë artistë janë të fyer, të dekurajuar. Më vjen keq që shumë kolegë të mi nuk janë në shesh. U bëj thirrje të reagojmë ndaj të keqes. Kanë frikë të marrin pjesë në protesta, pasi kanë frikë edhe se mos paragjykohen”, deklaroi qytetari.

Protestuesi paralajmëroi gjithashtu një pjesëmarrje masive gjatë muajit shtator, duke theksuar se pret që protestave t’u bashkohen më shumë të rinj.

“Shtatori do të jetë i fuqishëm, do të vijë rinia. U bëj thirrje që, nëse nuk reagojmë sot, nesër do të jetë shumë vonë. Është rasti më i volitshëm për të hequr një të keqe”, u shpreh profesori.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat