Arrestimi i piromanit në Mirditë/ Policia: 65-vjeçari u kap në flagrancë, ndezi 3 vatra

Shqipëria

Arrestimi i piromanit në Mirditë/ Policia: 65-vjeçari u kap në flagrancë, ndezi 3 vatra

Më: 18 gusht 2026 Në ora: 20:58
Arrestimi në Mirditë

Vihet në pranga 65-vjeçari nga fshati Gziq, që u kap në flagrancë duke ndezur disa vatra zjarri.

Gjatë operacionit policor të koduar “Piromani”, 65-vjeçari u kap si rezultat i punës gjurmuese prej tre ditësh, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se ky shtetas merrej me zjarrvënie të qëllimshme.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Piromani”. Pas marrjes së informacionit në rrugë operative dhe ndjekjes në terren për tre ditë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”, i shtetasit P. M., 65 vjeç, banues në fshatin Gziq, Njësia Administrative Rrëshen, Bashkia Mirditë.

Në momentin e kapjes, ky shtetas sapo kishte ndezur tre vatra zjarri në fshatin Gziq dhe, si pasojë, u përfshi nga zjarri një sipërfaqe pyjore. Vatrat e zjarrit u vunë menjëherë nën kontroll nga shërbimet zjarrfikëse, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas është autor i disa zjarrvënieve të tjera të ndodhura në territorin e Bashkisë Mirditë.

Specialistët e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Mirditë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për dokumentimin e plotë të rasteve të tjera të zjarrvënieve, për të cilat ky shtetas dyshohet si autor.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat