Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Vlorë, në kuadër të diskutimeve për Reformën Territoriale. Rama shoqërohet në këtë vizitë nga Ministri i ri i Brendshëm, Ervin Demo, bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku dhe Bledi Çuçi.
Gjatë qëndrimit në Vlorë, Rama do të zhvillojë një takim me qytetarët në ambientet e Pallatit të Kulturës, ku pritet të diskutohet mbi Reformën Territoriale.
Pas përfundimit të takimit, Rama pritet të ndalet edhe në Lungomare, ndërsa një tjetër pikë e vizitës do të jetë ish-Parku Aulona, hapësirë ku kryeministri është ndalur edhe pak ditë më parë. Në ish-Parkun Aulona, Rama pritet të prezantojë një prej projekteve të parashikuara për transformimin e kësaj hapësire.
Në vijim të axhendës, kryeministri pritet të udhëtojë edhe drejt territorit të Bashkisë Selenicë, ku mësohet se do të zhvillojë takime të tjera.
Vizita e Ramës në Vlorë zhvillohet në një moment kur në qytet po mbahen edhe protesta kundër ndërtimit të Muzeut Hebraik, të cilat janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe Policisë.