Partia Mundësia mbledh strukturat për zgjedhjet lokale 2027/ Shehaj: Do të jemi në çdo Këshill Bashkiak

Shqipëria

Partia Mundësia mbledh strukturat për zgjedhjet lokale 2027/ Shehaj: Do të jemi në çdo Këshill Bashkiak

Më: 14 shtator 2026 Në ora: 18:59
Agron Shehaj

Partia Mundësia do të dalë me kandidatët e saj në zgjedhjet lokale të pranverës së vitit 2027. Lajmin e ka dhënë kryetari i kësaj force politike Agron Shehaj, i cili përmes një video në rrjetet sociale fton këdo që ndien për të kontribuuar për të ardhmen e vendit, t’i bashkohet ekipit të “MUNDËSIA”.

“Ftojmë të gjithë shqiptarët të na bashkohen! Kushdo nga ju që do të përfaqësojë në mënyrë të ndershme, besnike dhe me dinjitet komunitetin e tij, qytetin e tij në Këshillin Bashkiak, është i ftuar t’i bashkohet Partisë Mundësia. Shqipëria, e ardhmja e Shqipërisë ka nevojë për kontributin e secilit prej nesh. Dhe Partia Mundësia është e hapur për këdo që do të japë kontributin e vet”, thekson ai.

Shehaj bën me dije se Partia Mundësia ka ndezur motorrët e përgatitjes së fushatës për vendoret 2027 dhe ka mbledhur strukturat për mobilizimin drejt zgjedhjeve që do e bëjnë këtë forcë politike që të ketë anëtarë në çdo këshill bashkiak në të gjithë Shqipërinë.

Kreu i Mundësia thekson se partia e ka derën e hapur për këdo që do të përfaqësojë në mënyrë të ndershme, besnike dhe me dinjitet komunitetin e tij.

“Ju presim sepse na pret një punë shumë e madhe. Se sa anëtarë do të kemi varet nga puna jonë dhe nga vota që qytetarët do të na besojnë”, e mbyll video-mesazhin Shehaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat