PD kërkon seancë dëgjimore për ndryshimet në ligjin për gjyqtarët dhe prokurorët

Shqipëria

PD kërkon seancë dëgjimore për ndryshimet në ligjin për gjyqtarët dhe prokurorët

Më: 15 shtator 2026 Në ora: 10:48
Fotoilustrim

Partia Demokratike ka paraqitur një kërkesë në Komisionin për të Drejtat e Njeriut për zhvillimin e një seance dëgjimore publike lidhur me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’”, të ndryshuar.

Kërkesa është paraqitur nga deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, e cila kërkon që në seancën dëgjimore të thirren institucionet dhe shoqatat që kanë interes dhe ekspertizë në këtë çështje.

Sipas kërkesës, në seancë dëgjimore kërkohet të marrin pjesë:

Këshilli i Lartë Gjyqësor;

Këshilli i Lartë i Prokurorisë;

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë;

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë;

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë;

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme;

Prokurori i Përgjithshëm;

Kryetari i Gjykatës së Lartë.

PD argumenton se kërkesa mbështetet në vendimin nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese, ku theksohet nevoja për një proces ligjvënës të plotë dhe të detajuar kur ndryshimet ligjore prekin drejtpërdrejt garancitë kushtetuese të magjistratëve, përfshirë pagat e tyre.

Në vendim, Gjykata Kushtetuese nënvizon se gjatë shqyrtimit dhe miratimit të propozimeve ligjore duhet të analizohet në mënyrë tërësore qëllimi i ndryshimeve dhe pasojat e pritshme, ndërsa kërkohet edhe pjesëmarrja aktive e gjyqtarëve dhe magjistratëve ose e grupeve që i përfaqësojnë ata.

“Ky konsultim duhet të jetë, mbi të gjitha, edhe efektiv”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas argumentimit të paraqitur nga deputetja Tabaku.

Partia Demokratike kërkon që përmes seancës dëgjimore të merret mendimi i institucioneve dhe organizatave përfaqësuese të sistemit të drejtësisë përpara vijimit të shqyrtimit të projektligjit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat