Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Agron Gjekmarkaj, po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në Republikën e Kroacisë, ku gjatë ditës së parë ka zhvilluar takime me personalitete të rëndësishme të jetës politike dhe institucionale kroate.
Një nga takimet kryesore të kësaj vizite ishte ai me znj. Kristina Ikić Baniček, Kryetare e Komisionit për Bashkëpunim Ndërparlamentar të Parlamentit të Kroacisë. Gjatë takimit u diskutua mbi marrëdhëniet parlamentare shqiptaro-kroate, mbështetjen e Kroacisë për Shqipërinë në procesin e integrimit evropian dhe çështje me interes për shqiptarët në rajon.
Gjatë takimit, Gjekmarkaj përcolli përshëndetjet e liderit të opozitës, Prof. Dr. Sali Berisha, i cili e vlerëson veçanërisht kontributin dhe mbështetjen që znj. Baniček, së bashku me kolegë të tjerë parlamentarë kroatë, i ka dhënë Kosovës në rrugën e saj drejt përfshirjes në Këshillin e Evropës.
Nënkryetari i Kuvendit shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, si dhe për qëndrimet e saj në mbështetje të integrimit evropian të Shqipërisë. Në këtë kuadër, u vlerësua rëndësia e përvojës kroate për Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.