Prangoset në Rinas ‘dileri’ ukrainas, bashkëpunimi me ShBA-në çoi në kapjen e tij

Shqipëria

Prangoset në Rinas ‘dileri’ ukrainas, bashkëpunimi me ShBA-në çoi në kapjen e tij

Më: 8 tetor 2026 Në ora: 10:36
Fotoilustrim

Një shtetas ukrainas i shpallur në kërkim nga autoritetet e Kievit është arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, pas shkëmbimit të informacionit mes autoriteteve shqiptare dhe amerikane.

Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e ShBA-së në Tiranë, e cila njoftoi se bashkëpunimi në kohë reale ndërmjet institucioneve të zbatimit të ligjit ndihmoi në lokalizimin dhe ndalimin e shtetasit ukrainas Anatolii Streletskyi.

Sipas ambasadës, informacioni u shkëmbye me Njësinë e Hetimeve Penale Ndërkombëtare të Shërbimit të Sigurisë Diplomatike pranë Ambasadës së ShBA-së në Tiranë, pas së cilës Policia e Shtetit bëri të mundur arrestimin e tij.

Streletskyi kërkohej nga autoritetet në Kiev nën dyshimin për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të një organizate kriminale.

Ndërkohë, Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët ukrainas për nisjen e procedurave të ekstradimit të shtetasit ukrainas.

Ambasada amerikane e ka cilësuar rastin si një shembull të bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit transnacional.

“Duke shkëmbyer informacion, duke mbështetur autoritetet e zbatimit të ligjit dhe duke punuar së bashku”, thekson Ambasada e ShBA-së, “forcohet lufta kundër krimit transnacional dhe siguria e komuniteteve tona”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat