Të prekur nga gazi lotsjellës, qytetarët transportohen me ambulancë. Policia bën gati autobotin me ujë
Është tensionuar situata jashtë Parlamentit teksa mësohet se është hedhur spraj me piper në drejtim të protestuesve pasi kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë. N
dërkohë gazetari Eni Ferhati raporton se është bërë gati dhe autoboti me ujë i policisë për të shpërndarë turmën e qytetarëve.
Disa prej protestuesve janë shoqëruar për ndihmë të parë mjekësore në spital me autoambulanca pasi disa kanë patur probleme nga përdorimi i sprajit djegës nga ana e policisë. Por edhe disa prej efektivëve kanë pësuar lëndime të lehta pasi janë qëlluar me shishe dhe mjete të tjera.
Qytetarët shihen të vendosur të qëndrojnë dhe të protestojnë, ku mes tyre ka edhe pjesëmarrje të disa bashkive që preken nga reforma e re teritoriale e propozuar nga PS.
Deputetët e PD përplasen me policinë, hidhet spraj lotjellës
Disa deputetë të Partisë Demokratike mes të cilëve Klevis Balliu u përplasën me policinë në kryqëzimin e rrugës së Elbasanit ku efektivët kanë krijuar një kordon për të mos lejuar kalimin drejt Parlamentit.
Herë pas herë ka pasur përplasje dhe shtyrje me policinë nga ana e protestuesve të PD dhe deputetëve demokratë, ndërsa efektivët kanë reaguar duke përdorur spraj me piper në drejtim të tyre.
Ndërkohë edhe nga krahu tjetër i hyrjes së Parlamentit, ku gjendet një qendër tregtare ka pasur përplasje të herëpashershme me policinë në drejtim të të cilës janë hedhur tymuese.
Garda rrethon foltoren, protestuesit përplasen fizikisht me efektivët
Ndërsa brenda Kuvendi i Shqipërisë nisi seancën plenare, jashtë godinës situata është tensionuar mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Tubuesit janë përplasur fizikisht me efektivët, duke shtyrë kordonin e policisë dhe duke tentuar të shembin barrierat e vendosura përreth perimetrit të Kuvendit.
Situata është përshkallëzuar më tej, teksa policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit dhe për të rikthyer kontrollin në zonën përpara godinës së Kuvendit.
Protesta zhvillohet në kohën kur brenda Kuvendit po mbahet seanca, ku po diskutohet edhe çështja e territoriales e cila pritet të votohet.