Xhixho kundër reformës territoriale: Nga 61 në 46 bashki, qytetarët largohen nga shërbimet

Shqipëria

Xhixho kundër reformës territoriale: Nga 61 në 46 bashki, qytetarët largohen nga shërbimet

Më: 8 tetor 2026 Në ora: 20:20
Erisa Xhixho

Deputetja e opozitës, Erisa Xhixho, ka kundërshtuar draftin e ri të reformës administrativo-territoriale, duke e cilësuar si një projekt që largon pushtetin vendor nga qytetarët dhe rrit kontrollin e qeverisë qendrore.

Xhixho argumentoi se reforma e vitit 2014 nuk solli uljen e administratës dhe kostove të pushtetit vendor, ndërsa sipas saj numri i punonjësve të administratës vendore është rritur ndjeshëm. Ajo kritikoi gjithashtu centralizimin e disa kompetencave të bashkive dhe mungesën e autonomisë financiare.

Një pjesë e kritikave të saj lidhet me propozimin për reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46. Xhixho kundërshtoi veçanërisht shkrirjen e bashkive si Rrogozhina, Prrenjasi dhe Memaliaj, duke argumentuar se banorët e zonave rurale dhe malore do të përballen me distanca më të mëdha për marrjen e shërbimeve publike.

Sipas Xhixhos, ndryshimi rrezikon të dobësojë përfaqësimin lokal dhe të rrisë varësinë e bashkive nga qeveria qendrore.

Opozita propozon si alternativë krijimin e 100 bashkive, më shumë kompetenca dhe autonomi financiare për pushtetin vendor, si dhe përfaqësim më të madh të komuniteteve lokale.

Në përfundim, Xhixho kërkoi që reforma të shoqërohet me konsultim më të gjerë me qytetarët dhe konsensus politik, duke propozuar që ndryshimet territoriale të hidhen edhe në referendum.

Opozita kërkon që reforma të shoqërohet me konsultim më të gjerë me qytetarët dhe konsensus politik. Si alternativë, propozon krijimin e 100 bashkive, më shumë kompetenca dhe autonomi financiare për pushtetin vendor, si dhe përfaqësim më të madh të komuniteteve lokale.

Në përfundim, opozita kërkon që ndryshimet territoriale të mos miratohen vetëm përmes vendimmarrjes politike, por të konsultohen me qytetarët dhe të hidhen për referendum.

DEKLARATA E PLOTE

Të nderuar qytetarë!

Qëllimi i vetëm i kësaj reforme territoriale është të vazhdojë axhenda e shpopullimit të vendit, të vazhdojë grabitja e pronave dhe pasurive publike, për t’u shërbyer interesave të krimit dhe korrupsionit.

Në vitin 2014 u premtua shkurtimi i administratës dhe ulja e kostove të pushtetit vendor. Rezultati? Një tjetër mashtrim.

Nga rreth 22 mijë punonjës që kishte pushteti vendor në vitin 2014, sot kemi rreth 44 mijë. Mbi 100 milionë euro më shumë për një administratë të përdorur si patronazh politik dhe qindra milionë euro të shpenzuara pa transparencë dhe pa rezultate.

E vetmja gjë që ka ndodhur është plaçkitja e kompetencave të pushtetit vendor.

Qytetarët po protestojnë kundër një projekti që po shitet si reformë për pushtetin vendor, por që në të vërtetë është një përpjekje për ta marrë atë nën kontroll të plotë politik.

Drafti i ri administrativo-territorial i qeverisë Rama është një projekt që synon të zëvendësojë demokracinë lokale me kontrollin nga qendra e pushtetit.

Një projekt që nuk e afron shtetin me qytetarin, por e largon qytetarin nga vendimmarrja.

Shqetësimi i qytetarëve që protestojnë në sheshe nuk lidhet vetëm me numrin e bashkive. Lidhet me një model qeverisjeje të ndërtuar mbi tri plagë të rënda: korrupsionin, pastrimin e parave dhe betonizimin e territorit.

Zhvillimi urban po shndërrohet në një garë betonizimi, në dëm të identitetit të qyteteve, hapësirave publike, pronës së qytetarëve dhe pasurive natyrore të vendit.

Në vitin 2014 u premtua se do të kishim bashki më efikase, shërbime më pranë qytetarëve dhe më shumë autonomi vendore. Të njëjtat premtime po i dëgjojmë edhe sot.

Por sot kemi të kundërtën: më pak demokraci lokale, më pak autonomi dhe më shumë varësi nga qeveria qendrore.

Reforma e vitit 2014 nuk realizoi decentralizimin që vazhdoni ta premtoni, sepse qeveria ka marrë njëra pas tjetrës kompetencat e bashkive.

U mor administrimi i ujësjellësve.

U mor kontrolli real mbi zhvillimin urban përmes centralizimit të lejeve të ndërtimit.

U kufizua autonomia vendore dhe bashkitë u kthyen gjithnjë e më shumë në zgjatime të pushtetit qendror.

Sot kemi bashki në vështirësi të mëdha financiare, kryebashkiakë që përballen me drejtësinë për akuza për korrupsion, qytetarëve u është cenuar prona, vendit i janë cenuar pasuritë natyrore, ndërsa objektet e trashëgimisë kulturore dhe hapësirat publike po shkatërrohen me firmën e pushtetit.

Qytetet janë betonizuar, bregdeti është betonizuar dhe qytetarët po paguajnë çdo ditë çmimin e kësaj politike.

Po marr Tiranën si shembull.

Qytetarët e Tiranës nuk janë pyetur për këtë reformë. Asnjë konsultim real, asnjë debat i hapur dhe asnjë dëgjim i zërit të qytetarëve.

Po flasim për një bashki që, pas 14 vitesh qeverisjeje socialiste, ende nuk garanton ujë 24 orë në ditë për të gjithë qytetarët dhe ende nuk ka zgjidhur problemin e menaxhimit të mbetjeve urbane, ndërkohë që paratë e inceneratorit u zhdukën në një aferë që ka përfunduar në duart e drejtësisë.

Tirana është bërë e pajetueshme.

Kostoja e jetesës është në stratosferë, kullat mbijnë kudo, por qytetarët nuk blejnë dot një apartament.

Rreth 70 mijë banorë të Astirit ende nuk kanë shkollën dhe kopshtet e nevojshme. E njëjta problematikë ekziston në zonën e Liqenit të Thatë, Komunës së Parisit, Saukut e në zona të tjera të Tiranës.

Rreth 20 shkolla zhvillojnë mësimin me dy turne.

Transporti publik është në kaos, trafiku është bërë i papërballueshëm dhe parkimi është kthyer në luks.

Por këta qytetarë paguajnë taksa dhe detyrime.

Dhe kur vjen puna te një reformë që prek drejtpërdrejt mënyrën se si do të qeverisen, askush nuk i pyet.

Po marr Rrogozhinën.

Sot, shumë qytetarë të Rrogozhinës më kanë kërkuar që të sjell në këtë sallë shqetësimin e tyre për shkrirjen e bashkisë.

Janë qytetarë që kanë zgjedhur të jetojnë aty. Një bashki me performancë të mirë financiare, me resurse dhe potencial për zhvillim.

Por, edhe pse ju kanë votuar besnikërisht, ju, siç e keni bërë zakon, po i shpërbleni duke ua shkrirë bashkinë dhe duke i shtyrë drejt largimit nga vendi ku kanë zgjedhur të jetojnë.

Po marr Prrenjasin.

Një bashki me reliev kodrinor dhe fushor, që përbëhet nga 26 fshatra dhe shtrihet në rreth 300 kilometra katrorë.

Këto fshatra janë larg qytetit të Prrenjasit dhe akoma më larg nga Librazhdi.

Me këtë reformë, një banori të fshatit më të largët, si Skënderbeu, mund t’i duhet rreth një orë për të zbritur në Prrenjas, më pas të marrë furgonin për në Librazhd dhe pastaj të kthehet sërish.

Sa kohë i duhet një qytetari për të kryer një shërbim?

Katër, pesë, ndoshta gjashtë orë.

Ad

Nisam spavala… onda sam ovo otkrilaSleep Support Journal

Najveća greška koju ljudi sa hroničnim bolom u vratu prave noćuSleep Science Journal

Ju thoni: “Shërbimet janë online”.

Por jo të gjithë dinë t’i përdorin shërbimet online. Jo të gjithëve u funksionon interneti. Dhe mbi të gjitha, pensionistët që jetojnë në fshatra nuk mund të trajtohen sikur të gjithë kanë të njëjtat mundësi dhe aftësi teknologjike.

Pra, kjo reformë nuk është menduar nga këndvështrimi i qytetarit dhe as nga realiteti i infrastrukturës.

Me këtë reformë rrezikoni të largoni edhe ata pak banorë që kanë mbetur në zonat malore.

Kjo që po bëni nuk është riorganizim. Është shkrirje.

Prrenjasi është një bashki e pasur me burime natyrore. Në këtë territor ndodhet Qafë-Thana, Parku Kombëtar i Shebenikut me florë dhe faunë të jashtëzakonshme dhe vetëm në Rrajcë ndodhen rreth 5 mijë hektarë pyje.

Të gjithë janë shprehur kundër kësaj shkrirjeje: bashkia, këshilli bashkiak dhe qytetarët.

Madje, shumë prej tyre janë socialistë.

Dhe pikërisht për këtë, kjo që po u bëni është edhe më e rëndë.

Është një turp për deputetët socialistë që të mos dëgjojnë qytetarët që i kanë votuar.

Edhe sipas tre indikatorëve të performancës që vetë ju keni përdorur, Bashkia Prrenjas dhe Bashkia Librazhd kanë qenë thuajse në të njëjtin nivel.

Atëherë, pse duhet të shkrihet Prrenjasi?

Po marr Memaliajn.

Dënoj me forcë dhunën e ushtruar sot ndaj kryetarit të Bashkisë Memaliaj, Albert Malaj, nga një punonjës policie me precedentë të rëndë të denoncuar publikisht.

Memaliaj është një bashki me 53 fshatra, ku distancat nga fshatrat shkojnë deri në 30–40 kilometra.

Ka rrugë fshatrash që ende janë me çakull, sepse nuk ka pasur investime të mjaftueshme.

Dhe tani qytetarëve u kërkohet të bëjnë orë të tëra për të marrë një shërbim jo vetëm në Memaliaj, por edhe më larg, deri në Tepelenë.

Memaliaj ka rreth 5 mijë votues më shumë se Tepelena, ndërsa Tepelena përfiton disa herë më shumë mbështetje ekonomike.

Qytetarët kanë protestuar prej muajsh kundër shkrirjes së bashkisë dhe kanë paralajmëruar se do të largohen nga ato troje nëse kjo reformë miratohet.

A është ky decentralizim?

A është kjo afërsi me qytetarin?

Jo.

Kjo është largim i shtetit nga qytetari dhe largim i qytetarit nga vendi i tij.

Po çfarë ndodh në Evropë?

Në Shqipëri kërkohet që nga 61 bashki të kalojmë në 46 bashki, duke krijuar bashki me një mesatare prej rreth 50 mijë banorësh.

Ndërkohë, shumë vende evropiane kanë zgjedhur një model tjetër: pushtetin vendor pranë qytetarit.

Sllovenia, Italia, Franca dhe Gjermania kanë një numër shumë më të madh njësish vendore dhe mesataret e popullsisë për njësi janë shumë më të ulëta.

Sepse demokracia lokale forcohet kur institucioni është pranë qytetarit, jo kur largohet prej tij.

Drafti i mazhorancës është problematik sepse:

- largon administratën nga qytetarët, veçanërisht në zonat rurale dhe malore;
- krijon bashki më të mëdha, më burokratike dhe më pak të kontrollueshme nga komunitetet;
- dobëson përfaqësimin e zonave dhe komuniteteve lokale;
- rrit varësinë financiare dhe politike të bashkive nga qeveria qendrore;
- nuk sjell decentralizim, por centralizim të mëtejshëm të pushtetit;
- nuk zgjidh problemet financiare të bashkive, por rrezikon t’i thellojë ato;
- nuk lufton korrupsionin në pushtetin vendor, por krijon më shumë përqendrim të vendimmarrjes dhe më pak kontroll qytetar;
- ka lejuar një model zhvillimi që ka sjellë betonizimin e qendrave urbane, cenimin e hapësirave publike, grabitjen e pasurive natyrore dhe presionin mbi pronat e qytetarëve;
- rrezikon të zhdukë identitetin historik dhe kulturor të shumë zonave të vendit.

Sot problemi më i madh është mungesa e transparencës, mungesa e kontrollit dhe përdorimi i pushtetit vendor si instrument politik.

Në vend të konsensusit politik dhe konsultimit me qytetarët, mazhoranca ka zgjedhur imponimin.

Në vend të bashkëpunimit me opozitën dhe komunitetet, ka zgjedhur urdhrin politik.

Kemi kaluar nga demokracia lokale te varësia e bashkive drejtpërdrejt nga kryeministri.

Kompetencat që duhet të ushtrohen nga institucionet e zgjedhura nga qytetarët janë zëvendësuar me kontrollin politik të qeverisë.

Kjo nuk është reformë. Kjo është kapje e pushtetit vendor.

Ndryshe nga ky projekt, opozita propozon një reformë që i shërben drejtpërdrejt qytetarit, duke vendosur në qendër:

- krijimin e 100 bashkive, për t’i afruar institucionet me qytetarët;
- decentralizim real dhe rikthim të kompetencave te pushteti vendor;
- autonomi më të madhe financiare dhe administrative për bashkitë;
- përfaqësim më të drejtë të zonave rurale dhe komuniteteve lokale;
- mbrojtjen e identitetit historik dhe kulturor të krahinave;
- zhvillim më të balancuar territorial, jo përqendrim të investimeve vetëm në disa qendra;
- transparencë dhe kontroll më të madh qytetar mbi pushtetin vendor.

Shqipëria nuk ka nevojë për më pak demokraci vendore.

Ka nevojë për më shumë qytetarë në vendimmarrje.

Kjo reformë duhet të jetë e qytetarëve, jo e një partie.

Kjo reformë duhet të kalojë në referendum.

Pushteti vendor nuk është pronë e qeverisë.

Nuk është pronë e kryeministrit.

Pushteti vendor u përket qytetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat