Bizneset dhe industria, Shqipëria drejt mbylljes së negociatave, Brukseli vendos më 13 tetor

Shqipëria

Bizneset dhe industria, Shqipëria drejt mbylljes së negociatave, Brukseli vendos më 13 tetor

Më: 9 tetor 2026 Në ora: 20:57
Ilustrim

Sinjale pozitive për ecurinë e Shqipërisë drejt anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian vijnë nga Brukseli.

Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian (COREPER) miratoi zhvillimin e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri–BE, e cila do të mbahet më 13 tetor 2026, në Luksemburg. 

Në këtë konferencë pritet të formalizohet mbyllja e përkohshme e negociatave për Kapitullin 20 që lidhet me ndërmarjen dhe politikën industriale.

Ky vendim shënon një tjetër arritje në rrugën evropiane të Shqipërisë dhe reflekton vlerësimin pozitiv të Komisionit Evropian dhe të shteteve anëtare për rezultatet e reformave në fushën e industrisë dhe sipërmarrjes.

Kapitulli 20 përfshin politikat dhe instrumentet që synojnë krijimin e një mjedisi më konkurrues, inovativ dhe të qëndrueshëm për biznesin. 

Në fokus të tij janë mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përmirësimi i klimës së investimeve dhe forcimi i aftësisë së ekonomisë për t’u integruar në Tregun e Vetëm Evropian. 

Ky rezultat përbën një sinjal të rëndësishëm besimi për investitorët, komunitetin e biznesit dhe partnerët ndërkombëtarë..

Me formalizimin e këtij hapi më 13 tetor, Kapitulli 20 do të jetë kapitulli i katërt i negociatave që Shqipëria mbyll përkohësisht brenda tre muajve. 

Vendimi konfirmon mbeshtetjen politike për vijimin  e procesit të integrimit dhe përpjekjet drejt Bashkimit Europian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat