Çfarë po ndodh në Shqipëri? Përplasje me policinë, qytetar i gjakosur para Ministrisë së Arsimit

Shqipëria

Çfarë po ndodh në Shqipëri? Përplasje me policinë, qytetar i gjakosur para Ministrisë së Arsimit

Më: 13 tetor 2026 Në ora: 14:06 Përditësuar në ora: 15:50 më 13.10.2026
Foto nga vendi i ngjarjes

Policia shpërndan protestuesit, një pjesë e tyre niset drejt Kryeministrisë, të tjerë qëndrojnë në Rrugën e Durrësit

Policia ka shpërndarë protestuesit e mbledhur para Ministrisë së Arsimit, ndërsa pas ndërhyrjes një pjesë e tyre është nisur drejt Kryeministrisë dhe të tjerë kanë qëndruar në Rrugën e Durrësit.

Protesta para Ministrisë së Arsimit u shoqërua me tensione, thyerje të xhamave të godinës dhe dëmtime të kangjellave të trotuarit.

Protestuesit shkruan gjithashtu në muret e institucionit fjalën “Turp…” dhe hodhën tulla në drejtim të xhamave.

Protestuesit thyejnë xhamat e Ministrisë së Arsimit, hyjnë brenda rrethimit të godinës, policia bëhet gardh

Protesta para Ministrisë së Arsimit është shoqëruar me tensione dhe përplasje fizike, pasi protestuesit kanë thyer xhamat e godinës dhe kanë hyrë brenda rrethimit të institucionit.

Ndërkohë, policia është pozicionuar në rresht për të mos lejuar përshkallëzimin e situatës.

Qytetari i gjakosur, arrestimet e policisë shoqërohen me dhunë! Përshkallëzohen tensionet me studentët para Ministrisë

Kanë filluar shoqërimet e protestuesve të rinj para Ministrisë së Arsimit gjatë protestës së sotme.

Shoqërimet kanë qenë të dhunshme në rrugën e Durrësit.

Një prej të rinjve siç duket edhe nga pamjet ishte i gjakosur nga dhuna e policisë.

Efektivët e FNSH bllokojnë derën kryesore të Ministrisë, bëhet gati ndërhyrja ndaj studentëve! Hedhin spraj lotsjellës

Protesta është përshkallëzuar para Ministrisë së Arsimit. 

Studentët janë paralajmëruar të distancohen nga aktet e dhunës. Disa prej tyre kanë thyer me gurë xhamat e ministrisë, ndërkohë që kanë shqyer me forcë kangjellat e trotuarit.

Sakaq, një grup edhe ka hyrë në oborrin e ministrisë. Forcat e FNSH kanë kaluar nga pjesa e parme të godinës dhe janë futur në oborr, teksa bëhen gati për ndërhyrje

Studentët thyejnë xhamat e ministrisë, policia jep paralajmërimin: Distancohuni nga aktet e dhunshme

Protesta e studentëve sot te Ministria e Arsimit kaloi në përshkallëzim. Të rinjtë goditën me vezë e më pas me gurë godinën teksa thyen dhe disa xhama.

Sakaq, një grup të rinjsh shkëputën me forcë kangjellat para godinës së ministrisë.

Menjëherë u afruan forcat e rendit të cilët me megafon paralajmëruan të rinjtë të distancohen nga aktet e dhunës.

Përshkallëzohet protesta, studentët shqyejnë kangjellat para Ministrisë së Arsimit

Përshkallëzohet protesta para Ministrisë së Arsimit. Studentët filluan të shkëpusin kangjellat e trotuarit para godinës.

Sakaq, disa prej tyre goditën me gurë në drejtim të godinës, përveç vezëve dhe bojës.

Si pasojë disa xhama të ministrisë janë thyer.

“Na doni injorantë që t’ju votojmë”, pankartat në protestën para MASHT-it

Studentët janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit për të protestuar.

Ata kishin dhe pankarta me vete ku bëjnë thirrje për largimin e qeverisë Rama.

Studentët thërrasin protestë kombëtare, nis tubimi përpara Ministrisë së Arsimit

Studentët dhe të rinjtë kanë thirrur një protestë kombëtare këtë të martë përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë.

Organizatorët u bëjnë thirrje studentëve nga të gjitha qytetet e vendit dhe qytetarëve të tjerë që t’i bashkohen tubimit për të ngritur zërin kundër problematikave që prekin të rinjtë.

Thirrja për protestë është bërë publike përmes një pankarte, ku organizatorët shprehin pakënaqësinë për çështjet që, sipas tyre, vijojnë të mbeten të pazgjidhura dhe për mungesën e reagimit nga institucionet.

“Protestojmë për çdo gjë që nuk funksionon dhe për çdo gjë që duam të jetë ndryshe”, thuhet në mesazhin e publikuar nga organizatorët.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat