Çfarë po ndodh në Tiranë? Përplasje gjatë protestës, të lënduar e të arrestuar, pezullohen 4 policë

Shqipëria

Çfarë po ndodh në Tiranë? Përplasje gjatë protestës, të lënduar e të arrestuar, pezullohen 4 policë

Më: 13 tetor 2026 Në ora: 18:18 Përditësuar në ora: 23:19 më 13.10.2026
Pamje nga protesta

Video e dhunimit të të riut/ Reagon Policia e Shtetit: Nisin verifikimet, pezullohen 4 policë

Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me një video me pamje të rënda, ku shfaqet një i ri i dhunuar nga efektivët, që tërhiqet zvarrë prej tyre. 

Reagimi thekson se pavarësisht verifikimeve të nisura, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë, si dhe të shefit të Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, nënkomisar F. K. Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre.

Reagim i plotë: 

Në lidhje me videon e publikuar në media, ku shfaqet 19-vjeçari L. B., i dëmtuar në këmbë, teksa shoqërohet nga punonjësit e Policisë pranë Parlamentit për t’u dërguar në spital për ndihmë mjekësore, Policia e Shtetit ka nisur menjëherë verifikimet për të sqaruar rrethanat e rastit dhe mënyrën e trajtimit të tij nga punonjësit e Policisë.

Pavarësisht verifikimeve të nisura, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë, si dhe të shefit të Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, nënkomisar F. K. Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre.

Gjithashtu, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, është ngritur një grup i posaçëm, nën drejtimin e Drejtorisë së Standardeve Profesionale, për të verifikuar dhe analizuar të gjitha veprimet e punonjësve të Policisë, nga fillimi deri në përfundim të tubimit, si dhe zbatimin e procedurave standarde të punës. Çdo punonjës që ka shkelur procedurat apo ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi.

Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për rastin.

Policia e Shtetit thekson se aktet e dhunshme të shfaqura prej orësh në kryeqytet, përfshirë dëmtimin, shkatërrimin dhe djegien e pronës, nuk kanë asnjë lidhje me ushtrimin paqësor të së drejtës për protestë dhe nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë.

Policia e Shtetit u bën thirrje personave të maskuar dhe atyre që kryejnë akte dhune e shkatërrimi t’i ndalin menjëherë, pasi do të përballen me forcën e ligjit.

Gjithashtu, Policia e Shtetit u kërkon qytetarëve të distancohen nga personat e dhunshëm, për të garantuar sigurinë e tyre.

Situata nga protesta/ Ministria: 27 të lënduar, mes tyre edhe një diplomat i huaj

Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka ndarë një përditësim mbi kujdesin shëndetësor për personat e lënduar gjatë protestës në Tiranë.

Mësohet se në Spitalin Universitar të Traumës, aktualisht po trajtohen një punonjëse policie, katër protestues dhe dy kalimtarë, të gjithë jashtë rrezikut për jetën.

Gjashtë efektivë të forcave speciale, dy përfaqësues të medias dhe katër kalimtarë janë larguar pasi kanë marrë ndihmën mjekësore.

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), kanë marrë trajtim dhe janë larguar , një diplomat i huaj, një përfaqësues i medias dhe 6 protestues.

Ministria thekson situata po ndiqet në vijimësi, përmes komunikimit të vazhdueshëm me institucionet shëndetësore.

Pamje të rënda: Policia i thyen këmbën dhe e tërheq zvarrë një protestues në Tiranë

Pamje të rënda janë publikuar nga protesta e studentëve në Tiranë.

Siç është publikuar nga mediat shqiptare një studenti policia i ka thyer këmbën gjatë protestës.

Ndërkaq nga dhuna e ushtruar ndaj tij, të riut i ka rënë të fikët.

Policia në vend që t’i japë ndihmën e parë atij, ka vendosur që ta transportojë duke e mbajtur në ajër dhe në pamje askund nuk shikohet ndonjë autoambulancë.

Pamjet më pas u shpërndan edhe nga kreu i PD-së, Sali Berisha.

Në furgonin e policisë i gjakosur – Ky është studenti që u përball i vetëm me 6 efektivë të FNSH-së

Prej orës 14:00, protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë u shoqërua me tensione të forta dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Protesta nisi me thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për përmirësimin e kushteve në arsim, por situata u përshkallëzua gjatë tubimit, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe autobot me ujë me presion.

Disa pamje kanë bërë xhiron e rrjetit, ndërsa një student duket i rrahur keq.

Ai është i riu që më parë përballoi i vetëm me grushte gjashtë policë me shkopinj gome të FNSH-së. Mësohet se ai është Klevin Metaj, student i Universitetit të Tiranë.

Kaosi zhvendoset te Pazari i Ri, tym e flakë ngado

Tensionet e protestës në Tiranë janë zhvendosur sërish në zonën e Pazarit të Ri, ku protestuesit janë rigrupuar pas lëvizjeve në disa pjesë të kryeqytetit. Në rrugët e zonës janë djegur kosha mbeturinash, duke shkaktuar tym, flakë dhe pengesa në qarkullim.

Forcat e policisë kanë vijuar ndjekjen e protestuesve për t’i shoqëruar, ndërsa disa prej tyre janë larguar me shpejtësi në rrugicat përreth për t’iu shmangur ndërhyrjes së efektivëve.

Situata është shoqëruar me incidente të tjera edhe në rrugën “Qemal Stafa”, ku janë djegur sërish kosha mbeturinash në mes të rrugës.

Pavarësisht pranisë së forcave të rendit, protestuesit kanë vijuar të lëvizin në grupe nëpër zonë, duke mbajtur aktive protestën kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Ndërkohë, ndërhyrjet e policisë dhe lëvizjet e vazhdueshme të protestuesve kanë bërë që tensionet të vijojnë në disa rrugë pranë Pazarit të Ri

Mediat e huaja jehonë protestës në Tiranë: Studentët kërkojnë rrëzimin e sistemit!

Protesta e studentëve në Tiranë, e zhvilluar pasditen e kësaj të marte para Ministrisë së Arsimit, ka marrë vëmendjen e mediave të huaja. Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters dhe agjencia franceze AFP kanë raportuar për tubimin, i cili u përshkallëzua në përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Reuters, në një artikull të publikuar më 13 tetor, shkruan se studentët hodhën tulla dhe blloqe betoni në drejtim të Ministrisë së Arsimit, ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë me presion. Sipas agjencisë, disa protestues u shoqëruan nga policia pas përplasjeve.

Në raportimin e saj, Reuters ndalet edhe te arsyet që i nxorën studentët në rrugë. Organizatorët kanë renditur si shqetësime kushtet në universitete, kostot e arsimit të lartë, mbështetjen financiare për studentët dhe mundësitë e punësimit pas diplomimit.

Përtej problematikave që lidhen drejtpërdrejt me arsimin, agjencia vëren se një pjesë e protestuesve shprehën pakënaqësi edhe ndaj qeverisë dhe pabarazisë sociale në vend.

“Shqipërisë i duhet një revolucion, një ndryshim, një përmbysje e plotë e sistemit, sepse nuk mund të vazhdohet më kështu”, citohet të ketë thënë protestuesja Luljeta Kola për Reuters, duke iu referuar padrejtësive sociale dhe hendekut mes të pasurve dhe të varfërve.

Edhe agjencia franceze AFP i ka kushtuar një raportim protestës në kryeqytetin shqiptar. Sipas saj, qindra studentë u mblodhën për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe përmirësimin e arsimit. AFP raporton se policia përdori gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë, ndërsa protestuesit hodhën gurë dhe thyen xhamat e Ministrisë së Arsimit.

Në raportim përmenden gjithashtu shkulja e kangjellave dhe djegia e koshave të mbeturinave, ndërsa bëhet e ditur se rreth një duzinë personash u arrestuan, sipas raportimeve të cituara nga agjencia.

Shpërthehet dera e Bashkisë së Tiranës, ndërhyn policia

Protestuesit janë zhvendosur nga Ministria e Arsimit drejt bashkisë së Tiranës.

Protestuesit si fillim kanë hedhur gurë drejt derës së godinës, ku më pas kanë arritur që ta thyejnë derën.

Ndërkhë që situata u pëshkallëzua nga protestuesit duke hyrë brenda Bashkisë së Tiranës dhe duke i vënë flakën.

Disa prej protestuesve janë futur brenda në godinë, ndërsa menjëherë më pas ka mbërritur aty edhe policia, dhe ka nisur me arrestimet.

Protestuesit zhvendosen te bashkia e Tiranës, futen brenda godinës pasi thyen derën

Protestuesit janë zhvendosur nga Ministria e Arsimit drejt bashkisë së Tiranës.

Gazetari i Top News Xhoi Malësia bën me dije se protestuesit si fillim kanë hedhur gurë drejt derës së godinës, ku më pas kanë arritur që ta thyejnë derën.

Disa prej protestuesve janë futur brenda në godinë, ndërsa menjëherë më pas ka mbërritur aty edhe policia, dhe ka nisur me arrestimet.

Protesta në Tiranë, ambasada e SHBA-së paralajmëron shtetasit e vet: Mund të zgjerohet në ndërtesat qeveritare

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka lëshuar një njoftim për qytetarët amerikanë lidhur me protestën që po zhvillohet mbrëmjen e kësaj të marte në Rrugën e Durrësit. Ambasada paralajmëron se tubimi është përshkallëzuar në dhunë dhe u bën thirrje shtetasve amerikanë të tregojnë kujdes dhe të shmangin zonat ku zhvillohen demonstratat.

Në njoftimin e saj, ambasada bën me dije se protesta, e zhvilluar pranë Sheshit Skënderbej, është shoqëruar me hedhje gurësh dhe mund të përhapet edhe në zonat përreth, përfshirë blloqet dhe ndërtesat qeveritare.

Sipas paralajmërimit, situata mund të sjellë shtim të pranisë policore, ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje të rrugëve.

“Një protestë në Rrugën e Durrësit, ngjitur me Sheshin Skënderbej, është duke vazhduar aktualisht dhe është shndërruar në të dhunshme për shkak të hedhjes së gurëve. Protesta mund të zgjerohet në blloqet dhe ndërtesat qeveritare aty pranë, duke shkaktuar potencialisht prani të shtuar të policisë, ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Qytetarëve amerikanë u kërkohet të tregojnë vigjilencë, t’i japin përparësi sigurisë personale dhe të ndjekin zhvillimet përmes mediave lokale.

“Ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe jepini përparësi sigurisë suaj personale. Monitoroni median lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit”, përfundon njoftimi i ambasadës.

Efektivi godet me shkop gome të moshuarin që ndodhej i shtrirë përtokë

Një rast i rëndë po aq dhe i turpshēm dhune është regjistruar gjatë protestës kombëtare në Tiranë, këtë herë ndaj një të moshuari.

Në pamjet e publikuara, burri shihet i rrëzuar në tokë, teksa efektivët e policisë ndjekin protestuesit.

Ndërsa ajo që e bën edhe më të rëndë këtë skenë është se, edhe pse i moshuari ndodhet i shtrirë dhe i pambrojtur, efektivët e godasin me shkop.

Vlen për të theksuar se pamje të tilla janë të turpshme dhe të papranueshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat