Protesta e studentëve në kryeqytet është përshkallëzuar, ndërsa gjatë marshimit drejt Kryeministrisë është sulmuar hyrja e Ministrisë së Ekonomisë.
Protestuesit kanë shkallmuar derën e institucionit, duke tentuar ta hapin atë, ndërsa më pas i kanë vënë flakën.
Incidenti ka ndodhur gjatë zhvendosjes së protestuesve nga Ministria e Arsimit drejt Kryeministrisë, pas më shumë se gjashtë orësh tubim përpara institucionit të arsimit.
Flaka i është vënë derës ndërsa nuk kishte forca police që të mbrojnë godinën e institucionit. Pas disa minutave polica ka reaguar me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe ka vijuar me fikjen e zjarrit.
Ndërkohë, kujtojmë se protesta e kësaj të premteje, 16 tetor, është zhvilluar edhe në disa qytete të tjera të vendit, ku gjimnazistë dhe studentë kanë bojkotuar mësimin.
Në Lezhë janë raportuar përplasje fizike mes protestuesve dhe forcave të policisë, ndërsa tensione janë regjistruar edhe gjatë tubimit përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë.