Nisin arrestimet pas gazit lotsjellës te Kryeministria, policia ndjek të rinjtë në bulevard dhe te Piramida

Shqipëria

Nisin arrestimet pas gazit lotsjellës te Kryeministria, policia ndjek të rinjtë në bulevard dhe te Piramida

Më: 16 tetor 2026 Në ora: 17:56
Protesta

Policia ka nisur arrestimet dhe shoqërimet e disa personave pas shpërndarjes së protestës në qendër të Tiranës, e cila u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Pas rreth një ore përballjesh, efektivët kanë arritur të largojnë protestuesit nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, duke i shtyrë përtej urës së Lanës me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Menjëherë pas shpërndarjes së turmës, forcat e policisë kanë vijuar ndjekjen e grupeve të të rinjve përgjatë bulevardit, si dhe në zonën e Piramidës, ku kanë nisur edhe ndërhyrjet për ndalimin dhe shoqërimin e disa prej tyre.

Gjatë përplasjeve, protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të forcave të rendit, ndërsa policia ka përdorur dy automjete ujëhedhëse dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Ndërkohë, dhjetëra efektivë kanë krijuar një kordon policor për të penguar rikthimin e protestuesve në bulevard.

Deri në këto momente nuk ka një bilanc zyrtar për numrin e personave të arrestuar apo të shoqëruar, ndërsa situata në qendër të kryeqytetit vijon të mbetet e tensionuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat