Berisha thirrje qytetarëve: Mbështesni protestën, gjimnazistët dhe studentët kanë nevojë për çdo shqiptar

Shqipëria

Berisha thirrje qytetarëve: Mbështesni protestën, gjimnazistët dhe studentët kanë nevojë për çdo shqiptar

Më: 16 tetor 2026 Në ora: 18:52
Sali Berisha

Në një mesazh drejtuar qytetarëve, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi Policinë e Shtetit për dhunë ndaj të rinjve gjatë protestave në Tiranë dhe kërkoi mbështetje për mobilizimin e nesërm...

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve, prindërve, të rinjve dhe shqiptarëve të diasporës që të mbështesin gjimnazistët dhe studentët e Tiranës në protestën e paralajmëruar për nesër.

Në mesazhin e tij, Berisha deklaroi se që prej datës 13, forcat e policisë kanë ushtruar dhunë ndaj të rinjve që kanë marrë pjesë në protestat në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit. Sipas tij, policia ka ndaluar dhe arrestuar qindra persona, mes të cilëve të mitur, vajza dhe qytetarë të moshave të ndryshme.

Berisha akuzoi efektivët për përdorimin e plumbave të gomës, bombolave të gazit, granatave zhurmuese, sprajit dhe shkopinjve të gomës, duke pretenduar se ndërhyrjet kanë shkaktuar plagosje të rënda te protestuesit.

Ai e krahasoi sjelljen e policisë me ngjarjet e viteve '90, duke deklaruar se Tirana nuk ka njohur një dhunë të tillë ndaj të rinjve as gjatë asaj periudhe. “Nesër gjimnazistët dhe studentët e Tiranës kanë më shumë se kurrë nevojë për mbështetjen e çdo shqiptari në betejën e tyre epike. Në betejën e tyre të pamposhtur”, deklaroi Berisha.

Në vijim ai deklaroi se nesër, mijëra e mijëra burra, gra, djem dhe vajza, nga mbarë Evropa vërshojnë drejt Tiranës.

"Ftoj çdo demokrate e demokrat, çdo qytetare e qytetar, çdo prind, nënë, baba, ftoj të gjitha bizneset e vendit të solidarizohemi nesër në Tiranë me studentët, të cilët në këtë betejë epike po mbrojnë më shumë se çdo gjë tjetër të ardhmen e tyre në këtë vend, ëndrrën e tyre shqiptare nga një zjarrvënës, armik i egër i kombit. Po mbrojnë dinjitetin e qytetarëve shqiptarë.

Janë ngritur viganë kundër bandave të drogës në qeveri, narkoshtetit me pasojat e tij shkatërrimtare, kreut të këtij narkoshteti, Padrinos Edi Rama. Solidariteti dhe mbështetja jonë për studentët është e një rëndësie të jashtëzakonshme. Ora e historisë fton nesër çdo shqiptar në Tiranë", tha Berisha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat