Thirrje nga Berlini: Qeveria shqiptare të përmbushë detyrimet

Shqipëria

Thirrje nga Berlini: Qeveria shqiptare të përmbushë detyrimet

Më: 16 tetor 2026 Në ora: 22:07
Pamje nga protestat kundër qeverisë dhe përplasjet mes demonstruesve dhe policisë në Tiranë, Shqipëri, më 15 tetor 2026.

Berlini thekson se Shqipëria ka ende punë për të bërë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, ndërsa BE-ja kërkon hetim me përparësi të pretendimeve për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve dhe gazetarëve.

Qeveria gjermane ka rikujtuar rëndësinë e shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në një kohë kur protestat në vend janë shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe policisë.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të Deutsche Welle-s gjatë Konferencës Federale për Shtyp në Berlin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Martin Giese, iu referua vlerësimeve të Komisionit Evropian për vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, Mali i Zi kryeson procesin e integrimit evropian, ndërsa Shqipëria ndodhet pranë tij, por duhet të bëjë përparim të mëtejshëm, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës.

“Këto janë qartësisht detyra që qeveria shqiptare duhet t'i përmbushë. Kërkesa të ngjashme ngre edhe popullsia në Shqipëri”, deklaroi Giese.

Ai theksoi se sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit janë ndër kriteret e rëndësishme që duhet të përmbushen në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Megjithatë, zëdhënësi gjerman nuk komentoi konkretisht akuzat për dhunë policore gjatë demonstratave në Shqipëri.

Ndërkohë, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka kërkuar që pretendimet për përdorim të tepruar të forcës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve të hetohen me përparësi.

Deklaratat nga Berlini dhe qëndrimi i BE-së vijnë në një moment kur, krahas përmbushjes së kritereve të integrimit, vëmendja është përqendruar edhe te respektimi i të drejtave themelore, llogaridhënia e institucioneve dhe trajtimi i protestave nga autoritetet shqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat