Përurohet Qendra e parë Rinore në Tiranë-Rama: Qendra rinore në çdo bashki - Bota Sot
Përurohet Qendra e parë Rinore në Tiranë-Rama: Qendra rinore në çdo bashki

Shqipëria

Përurohet Qendra e parë Rinore në Tiranë-Rama: Qendra rinore në çdo bashki

Më: 5 mars 2015 Në ora: 20:04

Gjergji Mima/ – Nga sot, të rinjtë e kryeqytetit kanë një hapësirë të posaçme, ku përveç mundësisë për të shprehur talentin dhe krijimtaritë e tyre, ambientin mund ta shfrytëzojnë edhe për debate dhe programe specifike me fokus rininë.

Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, përuruan sot Qendrën e parë Rinore në Tiranë, si hapësira e vetme për të rinjtë kryeqytetas, mundësuar edhe me mbështetjen financiare të World Vision dhe Raiffeisen Bank.

Kryeministri Rama e cilësoi këtë qendër si dallëndyshen e parë që lajmëron pranverën, pasi sipas tij, qeveria synon që të hapë një qendër rinore për çdo bashki. “Është qendra e parë që do pasohet shumë shpejt nga e dyta në Korçë, pastaj një tjetër në Vlorë, e kështu me radhë, me ambicien që brenda këtij mandati të kemi qendra rinore në të gjitha bashkitë”, deklaroi ai.

“Organizatorët duken pak të mërzitur se e kanë ftuar kryetarin e Bashkisë dhe ai nuk ka ardhur, por me siguri e kanë çuar ftesën te Bashkia e Tiranës dhe kryetarin nuk e kanë gjetur aty. Kështu që, nuk është se s’ka dashur të vij ai, por nuk i ka mbërritur ftesa, ngaqë ka kohë që ka ikur nga Bashkia e Tiranës”, u shpreh Rama.

Ndërkaq, ministri Veliaj, ndërsa i uroi të rinjve mirëseardhjen në këtë qendër rinore, u shpreh se ajo është një hapësirë e projektuar për të shpërndarë kulturë. “Ne të majtët besojmë se më shumë hapësira publike duhet t’i kthehen publikut. Ne besojmë se të rinjtë nuk kanë nevojë për kafe dhe për klubin e 1001-të. Më vjen mirë që me vendimin e djeshëm të Qeverisë do të kemi qendrën e dytë rinore në qytetin e Korçës, ku një tjetër klub do kthehet në qendër rinore. Veprat tona janë ashtu siç themi: ne besojmë tek kazinotë që kthehen në zyra pune, në klubet që kthehen në qendra rinore dhe besojmë te energjia e të rinjve tanë”, deklaroi Veliaj.

Ai ftoi drejtuesit e kësaj qendre që të organizojnë një axhendë të tillë ku çdo javë të ketë një grup të rinjsh që e shfrytëzojnë atë për të promovuar talentin, pasionin dhe aftësitë e tyre.

Nga ana e tij, drejtori kombëtar i World Vision në Shqipëri dhe Kosovë, Reinder Dekker, tha se bashkëpunimi me Shërbimin Kombëtar të Rinisë për hapjen e qendrave të tjera rinore në Shqipëri do të vazhdojë sepse është shumë e rëndësishme që të rinjtë të kenë hapësira ku të takohen me njëri-tjetrin dhe të zhvillojnë talentet e tyre. “Mezi presim që kjo Qendër Rinore t’u shërbejë të rinjve të Tiranës… kemi parë shndërrime të mrekullueshme të të rinjve kur atyre u jepen mundësitë e duhura, siç është kjo qendër sot”, nënvizoi ai.

Themelimi i Shërbimit Kombëtar për Rininë në Korrik 2014, si institucion varësie i MMSR-së në zbatim të politikave dhe strategjive për rininë, parashikon funksionimin e tij nëpërmjet qendrave rajonale rinore. Qendra e Tiranës është e para syresh. Përveçse është hapësira e vetme për të rinjtë e Tiranës, simbolikisht përfaqëson një ndërrim faqeje në filozofinë e përdorimit të hapësirave publike.

Me hapjen e qëndrës i hapet dera të rinjve të kryeqytetit për t’u rritur në empati, krijimtari dhe qytetari, duke ofruar jo vetëm mjedisin, por edhe programe specifike që ndihmojnë në kultivimin e individëve produktiv për shoqërinë dhe të ardhmen e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...