Ja si Kristaq Rama vendosi për varjen në litar të poetit Havzi Nela

Shqipëria

Ja si Kristaq Rama vendosi për varjen në litar të poetit Havzi Nela

Më: 6 dhjetor 2009 Në ora: 01:57

Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, publikoi dje dokumentin, i cili vërteton pjesëmarrjen e të atit të Edi Ramës në dënimin me varje të poetit të njohur Havzi Nela. Bumçi i kërkoi Ramës të kërkojë falje për firmën që i ati i tij, Kristaq Rama, ka vendosur për dënimin me vdekje të poetit vetëm për faktin, se ai kishte shkruar poezi që nuk i pëlqenin regjimit. Deputeti Bumçi e cilësoi një vendim xhelatësh firmosjen nga Ramiz Alia dhe Kristaq Rama, për dënimin me varje të poetit të njohur më datë 10/8/1988. Disidenti dhe poeti Havzi Nela mori një dënim maksimal për fajin e vetëm, se në vargjet e tij kërkonte të drejtat e njeriut. "Këtë vendim po ja nisim dhe Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në Selinë e Partisë Socialiste. Ky është vetëm një nga vendimet kriminale të atit tënd biologjik, të cilin po ta dërgojmë me shpresën që do të nxisë sadopak për të dënuar këtë akt xhelatësh kundër intelektualëve shqiptarë. Për ti kërkuar falje publike familjes së Havzi Nelës, qytetarëve të Kukësit dhe të mbarë Shqipërisë për këtë akt kriminal të babait tënd biologjik", u shpreh deputeti Bumçi gjatë një konference për shtyp. Poeti Havzi Nela ka lindur më 1934 në Kollovoz të Kukësit. Ai ishte njëri nga ata njerëz që s'u pajtua asnjëherë me të keqen, që solli dhe po e sillte vazhdimisht regjimi komunist në Shqipëri gjatë viteve të sundimit të tij 50-vjeçar. Qysh në shkollë të mesme, u shfaqën kundërshtitë e tij të para ndaj padrejtësive të sistemit të kohës, nisi të formësohet dhe të marrë frymë ndjenja e rebelizmit ndaj padrejtësive të regjimit që po i ngrinte në sistem. Pasi kishte kryer Shkollën Pedagogjike në Shkodër, ai fillon punën në rrethin e Matit, por u bënë shkak disa vjersha që iu gjetën, të cilat siç duket ishin të "papëlqyera" për pushtetin dhe pushtetarët e asaj kohe dhe pushohet nga puna. Më 22 maj 1967 dënohet me l5 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë, ndërsa bashkëshortja e tij me 10 vjet heqje lirie. Më 8 gusht 1975 ridënohet me 8 vjet heqje lirie. 19 dhjetor 1986 lirohet nga burgu. 12 tetor 1987 internohet në Arrën. 15 qershor arrestimi në katundin Brekijë. 15 qershor, ora 12 e mesditës nis procesi hetimor ndaj tij. 24 qershor 1988 - dënimi i katërt, ose dënimi fatal. 25 qershor - bën ankim pranë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. 16 korrik - Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Kukës. 2 gusht - Presidiumi i Kuvendit Popullor miraton vendimin për ekzekutimin e Havzi Nelës. 10 gusht 1988, ora 3:30 pas mesnate - ekzekutimi me varje në Kukës, tek stacioni i autobuzëve. 10 gusht, ora 11:00 e paradites - trupi hiqet nga vendi i ekzekutimit. 11 gusht, ora l:00 pas mesnate - trupi futet në gropë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat