Florjana Koka: Çfarë do të bëj për Sarandën në 4 vite

Shqipëria

Florjana Koka: Çfarë do të bëj për Sarandën në 4 vite

Më: 24 maj 2015 Në ora: 08:30

Aleanca për Shqipërinë Europiane në Sarandë çeli dje pasdite fushatën për zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Gjatë ceremonisë së çeljes zyrtare të fushatës, e cila është zhvilluar në një nga hotelet më të mëdha të qytetit, përshëndetën kryetari i PS-së, Feruz Basho, nënprefekti Ilir Hysi, krerë të lartë të LSI-së, kryetari aktual i bashkisë, Stefan Çipa, kreu i Mega-s Kristo Kiçu si dhe deputeti i qarkut Vlorë, Koço Kokëdhima.

Kryetari aktual Stefan Çipa deklaroi se: "Ne fillojmë sot betejen e madhe që fitorja jonë të jetë si asnjëherë tjetër. Uroj kandidaten Florjana Koka për një fitore të madhe si dhe kandidatët për këshillin e ri bashkiak", tha Çipa. Deputeti i qarkut Vlorë z. Koço Kokëdhima, gjatë fjalës së tij, deklaroi serish se Alenaca për Shqipërinë Europiane do të dalë fituese me 5-0 përballë Partisë Demokratike në zonën ku ai është deputet. "Ne kemi miq të dashur, jo vetëm një koalicion që qëndron mbi një marrëveshje politike, por kemi një bashkim të madh që qëndron mbi një tolerancë të shquar fetare dhe mbi një tolerancë vezulluese etnike", tha Kokëdhima.

Kandidatja për kryetare bashkie, zj. Florjana Koka, gjatë fjalës së saj, theksoi se: "Teksa ju shoh të gjithëve juve sot që jeni të pranishëm këtu, jam e sigurt, se janë mijëra të tjerë, të bashkuar në koalicionin tonë më bëhet edhe më e fortë bindja se ne do të jemi fituesit e padiskutueshëm të këtyre zgjedhjeve", tha Koka. Më tej ajo theksoi domosdoshmërinë e marrëdhënieve me të gjithë partnerët dhe aleatët duke thënë se: "Dëshiroj shumë që marrëdhëniet e ndërsjellta të mirëkuptimit e të besimit ndaj njeri-tjetrit t’i çojmë gjithnjë e më përpara se edhe sfidat që kërkohet të përballojmë janë të mëdha e të veçanta, janë më komplekse e më të vështira. Kërkoj sinqerisht ndërveprim reciprok e mbështetje maksimale që, në fund të mandatit, cilido prej nesh të ngelet i lumtur nga arritjet e këtij katër-vjeçari. Të dy palët të ndihemi të plotësuar e krenarë për atë ç’ka kemi arritur sëbashku. Çdo zgjedhje e zgjidhje, në qytet apo në zonën administrative rurale, në lagjen a bllokun tuaj të banimit, vetë zhvillimi si proçes, do të kalojë përmes fjalës tuaj, do të jetë produkt i iniciativës, vizionit dhe i mençurisë së vendimmarjes së qytetarëve, do të jetë frut i integrimit social dhe i zgjidhjeve vetëm për nevojat e interesat e arsyetuara të komunitetit", nënvisoi kandidatja e PS-së.

Sipas Florjana Kokës, "synimi i qeverisjes vendore, në katër vitet e ardhshme është: Përmirësimi i cilësisë e rritja e standartit dhe mirëqenies së jetesës së qytetarëve, duke rritur aksesin në punësim, shërbime dhe hapësira publike. Rritjen e kohezionit ekonomik, social e territorial të të gjithë komunitetit vendor të Sarandës. Prioritet yni mbetet përmirësimi i infrastrukturës turistike e mjedisore të qytetit e zonës tjetër administrative, për të ofruar një produkt turistik konkurrues, autentik e cilësor, në raport me zhvillimin e kërkesave të tregut aktual. Kapërcimi i situatës degraduese të krijuar në segmentin lidhës të rrugës nacionale Ura e Gajdarit - kryqëzimi i rrugës së Bregdetit, së bashku me ndërtimin e portalit hyrës për në qytet", tha ajo.

Kandidatja e Aleancës për Shqipërinë Europiane, shpalosi dhe ambicjet e saj për mandatin e parë katër vjeçar në krye të Bashkisë së re Sarandë, duke thënë se: "Brenda mandatit tim do të përfundojnë një sërë projektesh të një pakete favorizuese investimesh nga Qeveria, në mbështetje të implementimit të Programit të Investimeve Kapitale të zhvillimit të Bregdetit të Jugut, PIK-u. Janë identifikuar 20 projekte zhvillimi. Në bashkëpunim me qeverinë do të realizojmë ndërtimin e Shëtitores, “Shëtitores Blu” dhe i Aerodromit në një periudhë afat-mesme.

Ndërtimi i strukturave ujore, marinave detare, helio-porteve, hidro-planeve etj. Brenda mandatit tim nuk do të ketë më asnjë banesë të papërfshirë në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të ndotura. Do të marrë fund derdhja e ujrave të ndotura në territor në det apo në territor. Do të zgjidhet përfundimisht furnizimi me ujë të pijshëm. Edhe me një investim tjetër për të sjellë sasinë e ujit të nevojshëm nga Tatzati në Sarandë. Angazhohem të zgjidh përfundimisht problemin e furnizimit me ujë të banorëve, si kërkesa këto elementare të një turizmi cilësor e pretendues. Kanë filluar nga implementimi, që këtë vit dy projekte të rëndësishëm me një vleftë totale 5.5 milion $ e me përfundimin e tyre kjo vlerë do të arrijë në mbi 10 milion €.

Në bashkëpunim e partneritet me Qeverinë do të zhbllokoj situatën për trojevet, duke çliruar e futur në qarkullimin ekonomik kapacitete zhvilluese që vlerësohen në rreth 500 milion €. Do të ndërhyjmë për përmirësimin e rritjen e kapaciteteve të infrastrukturës arsimore, sportive, kulturore e sociale në qytet e në zonën rurale, e argumentuar kjo me embargon 20-vjeçare të fondeve për objekte arsimore. Me përjashtim të viteve 2014-2015, të projekteve të ndërtimit të ekokampusit shkollor në ish-rezidencën qeveritare, me kapacitet 1000- 1200 nxënës, kopsht, shkollë 9-vjeçare, shkollë të mesme, me një vlerë totale 15 mlionë euro. Do të realizojmë rikonstruksionin e Qendrës Kulturore të qytetit. Me vlerë 65 milionë lekë, për ta kthyer atë në një qendër multikulturore. Do të zgjerojmë projekte sociale për strehim, duke përdorur të gjitha programet lehtësuese në këtë fushë. Do vëmë në dispozicion dy sheshe për ndërtimin e banesave sociale e do të ndërtohen 50 apartamente sociale. Do të synojmë të përfitojmë nga zbatimi i këtyre programeve mbi 300 familje", përfundoi Florjana Koka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat