Berisha ngre në këmbë deputetët: Një minutë heshtje për Srebrenicën

Shqipëria

Berisha ngre në këmbë deputetët: Një minutë heshtje për Srebrenicën

Më: 9 korrik 2015 Në ora: 15:21

Kuvendi i Shqipërisë ka mbajtur sot një minutë heshtje për viktimat e masakrës në Srebenicë. Ftesa u bë nga ish-Kryeministri, Sali Berisha, pas fjalës së tij të gjatë për masakrat në Ballkan.

"Barbaria më e madhe pas Luftës së Dytë Botërore, gjenocidi i Srebrenicës, i rrethuar nga forcat serbe, ku në një kamp të OKB-së u grinë nga barbarët e këtij rajoni 8 mijë burra, gra, pleq dhe të moshuar, vetëm se i përkisnin besimit mysliman. Është ngjarja më e turpshme, më tragjike në historinë e Kombeve të Bashkuara, të cilat nuk arritën t'i mbronin nga mizoria serbe njerëzit që strehonin në kampet e tyre", tha Berisha.

Më tej, Berisha dënoi edhe “aktin e shëmtuar” të vendosjes së vetos nga Rusia në Këshillin e Sigurisë në OKB për të mos e cilësuar si genocid. "Sot është një ditë solidariteti me popullin e Bosnjës. Të dënojmë qëndrimin e Vladimir Putinit, këtij Hitleri të ri të kohës moderne, që bllokoi rezolutën për ta quajtur gjenocid dhe mendoi se kështu i plotësoi nderin Serbisë, apo Rusisë së vogël në Ballkan, për të nderuar shpirtin e të rënënve në Srebrenicë, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje për ata që ranë viktimë 20 vjet më parë", përfundoi Berisha.

Masakra e Srebrenicës ka ndodhur 20 vite më parë. Më 11 korrik 1995, trupat e serbëve të Bosnjës pushtuan Srebrenicën, një qytet i shpallur si zonë e sigurt nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, duke ekzekutuar 8 mijë myslimanë boshnjakë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat