Wilton: Mirëpresim angazhimin për një reformë zgjedhore serioze - Bota Sot
Wilton: Mirëpresim angazhimin për një reformë zgjedhore serioze

Shqipëria

Wilton: Mirëpresim angazhimin për një reformë zgjedhore serioze

Nga: Gjergj Koja Më: 29 shtator 2015 Në ora: 17:31

“Drejtues të ndryshëm politikë kanë deklaruar gatishmërinë për t’u angazhuar për një reformë zgjedhore serioze. E mirëpres këtë angazhim. Ky eveniment dhe vizita e ardhshme e kryetares së Misionit Vëzhgues të ODIHR-it për zgjedhjet duhet parë si një mundësi për të parashtruar ide konkrete dhe për t’i dhënë vrull kësaj pune. Reformat serioze, bazuar në ekspertizën e pashoqe të ODIHR-it dhe mbështetur nga një angazhim i gjerë politik, do të garantojnë rezultatet më të mira”.

Kështuu shpreh zv. Ambasadori i OSBE-së Wilton në tryezën e organizuar nga Këshilli i Europës në lidhje me procesin e zgjedhjeve vendore të 21 Qershorit. Referuar raportit të vëzhguesve ndërkombëtarë, Wilton tha se ODIHR-i ka nxjerrë një raport të plotë e të balancuar për zgjedhjet vendore të 21 qershorit.

“Është e qartë që këto zgjedhje patën disa elementë pozitivë: para zgjedhjeve, u përforcua kuota gjinore me mbështetje të gjerë politike. Të gjitha partitë respektuan dispozitat e reja, që kontribuuan për zgjedhjen e nëntë kryebashkiakeve dhe mbi 550 këshilltareve – ku numri i këtyre të fundit shënoi një rritje prej rreth 23%. Na entuziazmon fakti që shumë nga gratë që kanë marrë pjesë në programet tona për ndërtimin e kapaciteteve janë zgjedhur tanimë në detyra publike dhe shpresojmë që ato të bëhen shembull për brezin e ardhshëm të grave në jetën publike”, tha zv. Ambasadori i OSBE.

Sipas tij, KQZ-ja funksionoi me anëtarësi të plotë dhe përgatiti zgjedhjet në bazë të rregullores së brendshme të miratuar me konsensus. “Raporti i ODIHR-it gjithashtu ofroi disa rekomandime, alternativa, nëse Shqipëria dëshiron të vazhdojë të zhvillojë standardet e saj për zgjedhjet.

Evenimenti i sotëm është një mundësi për të eksploruar disa prej këtyre rekomandimeve më në thellësi. Në çdo rast, mund të mbështeteni tek asistenca e vazhdueshme e Prezencës. Si një partnere strategjik afatgjatë i KQZ-së, ne do të vazhdojmë të punojmë me të përgjatë gjithë ciklit zgjedhor. Dhe, me Këshillin e Evropës, ne vazhdojmë të zhvillojmë ide për të rritur profesionalizmin dhe stabilitetin e komisionerëve zgjedhorë”, tha Wilton.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...