Kerry nis takimin me Ramën, biseda me Nishanin jo më shumë se 3 minuta (Video) - Bota Sot
Kerry nis takimin me Ramën, biseda me Nishanin jo më shumë se 3 minuta (Video)

Shqipëria

Kerry nis takimin me Ramën, biseda me Nishanin jo më shumë se 3 minuta (Video)

Nga: Gjergj Koja Më: 14 shkurt 2016 Në ora: 10:57

Sekretari amerikan i Shtetit Xhon Kerry ka nisur serinë e takimeve në Tiranë me Kryeministrin Edi Rama. Takimi po zhvillohet pa praninë e mediave dhe në përfundim të tij pritet edhe një deklaratë për shtyp, por nuk do të lejohen pyetjet.

Sekretari amerikan i Shtetit u prit në aeroportin Nënë Tereza në Tiranë nga Presidenti Bujar Nishani dhe Ambasadori Donald Lu. Takimi Nishani-Kerry ka zgjatur jo më shumë se 3 minuta, më pas Sekretari amerikan i Shtetit, i është drejtuar kryeqytetit shqiptar, sipas një agjende të përcaktuar.

Ndërkohë sipas një njoftimi zyrtar nga Presidenca, Kreu i Shtetit Bujar Nishani i uroi mirëseardhjen në Shqipëri Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, duke shprehur mirënjohjen e thellë të shqiptarëve për të gjithë mbështetjen e pakursyer, veçanërisht për integrimin e vendit në strukturat Euroatlantike.

Presidenti Nishani u shpreh se kjo vizitë është dëshmi e qartë dhe domethënëse se miqtë dhe partnerët tanë më të mirë janë pranë nesh në këto momente që rreziqet dhe kërcënimet janë afruar me Shqipërinë dhe rajonin.
Kreu i Shtetit shqiptar e siguroi Sekretarin Kerry për vendosmërinë e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Presidenti Nishani përcolli gjithashtu përshëndetje të ngrohta e të përzemërta për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...