"Shullazi", Tahiri: Saliu me Lulin na akuzojnë për gjëra që i bënin vetë në qeveri - Bota Sot
"Shullazi", Tahiri: Saliu me Lulin na akuzojnë për gjëra që i bënin vetë në qeveri

Shqipëria

"Shullazi", Tahiri: Saliu me Lulin na akuzojnë për gjëra që i bënin vetë në qeveri

Më: 17 prill 2016 Në ora: 16:52

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri i ka kthyer përgjigje akuzave të ish-kryeministrit Berisha dhe liderit demokrat Lulzim Basha, se qeveria mbështet personat me precedentë penalë, duke ju referuar kështu arrestimit të Emiljano Shullazit.

Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Tahiri thotë se vënia e Shullazit në pranga nuk është bërë aspak me urdhër nga ndërkombëtarët, por se Policia e Shtetit ka bërë detyrën.

Ministri e quan degradim moral faktin që PD hodhi akuza se Shullazi është përdorur nga qeveria për të kërcënuar kandidatin për rektor të Universtitetit të Tiranës, Mynyr Koni për tu tërhequr nga gara.

“Policia kryen arrestime, Saliu me Lulin thonë që ndërkombëtaret paskan urdhëruar Edi Ramën që ta bëjë këtë, pasi po sipas Saliut dhe Lulit ai e përdori të arrestuarin kryesor për të kërcënuar kandidatin për rektor! Cfarë degradimi moral, politik, logjik! Edi Rama dhe PS nuk kane ndërhyrë asnjë çast dhe në favor të askujt në garën e zgjedhjeve universitare. Këto që po zhvillohen janë të parat zgjedhje të lira nga ndikimi i qeverisë që janë zhvilluar ndonjëherë në universitete. Ndërsa Policia e Shtetit provoi edhe njëherë se nën këtë qeveri s'ka asnjë të mbrojtur nga ligji, asnjë mbi ligjin”, shkruan Tahiri.

Më tej, ministri i Brendshëm akuzon Partinë Demokratike si të vetmen forcë politike që ka mbrojtur botën e krimit.

“Sot na akuzojnë për të njëjtat gjëra që i bënin vetë kur ishin në qeveri. Në këtë vend, për dy dekada, ka vetëm një njeri e një parti që ka nxitur, përkrahur e mbrojtur botën e krimit, e po këta kanë gojë sot të akuzojnë ne. Prandaj Saliu dhe Luli sot meritojnë vetëm fjalën e urtë popullore qentë le të lehin karvani ecën përpara!”, përfundon Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...