Sistemi i drejtësisë, rrëmuja që nis nga dita e nesërme

Shqipëria

Sistemi i drejtësisë, rrëmuja që nis nga dita e nesërme

Më: 10 gusht 2016 Në ora: 13:43
Kuvendi i Shqipërisë

Ndryshimet kushtetuese, të miratuara në Kuvend në fund të korrikut, do të hyjnë nesër në fuqi, duke i dhënë startin ndërtimit të një sistemi të ri të drejtësisë. Një ndër strukturat e para që do të ngrihet, sipas përcaktimeve të ndryshimeve kushtetuese, do të jetë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Në Kushtetutë, në nenin 149/b, përcaktohet se, “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kryen verifikimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese”.

Anëtarët e KED-së do të jenë mandat njëvjeçar dhe do të zgjidhen çdo muaj dhjetor. Ndërsa për zgjedhjen e parë të anëtarëve të KED-së, ndryshimet kushtetuese kanë përcaktuar një rrugë të veçantë. “Presidenti i Republikës, brenda pesë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, zgjedh me short anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, sipas nenit 149/d, pika 3, të Kushtetutës. Nëse Presidenti i Republikës nuk i përzgjedh anëtarët brenda pesë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda dhjetë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Të zgjedhurit qëndrojnë në detyrë deri në datën 31 dhjetor të vitit kur hyn në fuqi ky ligj”, thuhet në përcaktimet e reja kushtetuese. Aty përcaktohet se “Avokati i Popullit merr pjesë si vëzhgues në procedurën e shortit, si dhe në mbledhjet dhe veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”.

Sipas burimeve nga Presidenca, Kreu i Shtetit, në bazë të Kushtetutës, do të ketë 5 ditë afat për realizimin e shortit, pra deri më datë 16 gusht. Ndërkohë, Kushtetuta përcakton që “anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi i nënshtrohen menjëherë procesit të rivlerësimit kalimtar të kualifikimit për gjyqtarë dhe prokurorë sipas nenit 179/b të këtij ligji”. Por strukturat përkatëse, si Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk janë ngritur ende, pasi nuk është miratuar ligji përkatës.

Për atë që e ka cilësuar si një ngërç, Kreu i Shtetit ka zhvilluar konsultime me juristë të njohur dhe drejtues të grupeve parlamentare, ndërsa mbetet të përcaktohet vendimmarrja e tij. Ende nuk dihet nëse presidenti Nishani do të nisë procesin edhe pa “veting”-un e kandidaturave për anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi apo do të presë ligjin përkatës, pjesë e paketës me 7 ligje për reformën në drejtësi.

Ndryshimet kushtetuese që hyjnë nesër në fuqi:

Neni 149/d


Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kryen verifikimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi shqyrton dhe rendit kandidatët sipas meritës profesionale. Renditja e kandidatëve nuk është e detyrueshme, me përjashtim të rastit kur nuk arrihet të emërohet kandidati.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi mblidhet sa herë është e nevojshme.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore.

Ata ushtrojnë detyrën me mandat njëvjeçar, që fillon në datën një janar të çdo viti kalendarik. Presidenti i Republikës përzgjedh me short, midis datave 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga gjykatat e apelit, si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative. Nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të zgjedhë anëtarët deri në datën 5 dhjetor, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda datës 10 dhjetor të atij viti kalendarik. Avokati i Popullit merr pjesë si vëzhgues në procedurën e hedhjes së shortit, si dhe në mbledhjet dhe veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është anëtari i Gjykatës së Lartë. Gjykata e Lartë krijon kushtet e punës për ushtrimin e veprimtarisë së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Kritere të tjera për shkallën e kualifikimit të kandidatëve që marrin pjesë në short parashikohen me ligj. Organizimi dhe funksionimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi rregullohet me ligj.

Neni 179

11. Presidenti i Republikës, brenda pesë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, zgjedh me short anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, sipas nenit 149/d, pika 3, të Kushtetutës. Nëse Presidenti i Republikës nuk i përzgjedh anëtarët brenda pesë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda dhjetë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Të zgjedhurit qëndrojnë në detyrë deri në datën 31 dhjetor të vitit kur hyn në fuqi ky ligj. Avokati i Popullit merr pjesë si vëzhgues në procedurën e shortit, si dhe në mbledhjet dhe veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi i nënshtrohen menjëherë procesit të rivlerësimit kalimtar të kualifikimit për gjyqtarë dhe prokurorë sipas nenit 179/b të këtij ligji.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat