Të arrestuarit mohojnë grabitjen: Betejë provash në gjykatë

Shqipëria

Të arrestuarit mohojnë grabitjen: Betejë provash në gjykatë

Më: 3 shtator 2016 Në ora: 15:28
Të akuzuarit në Gjykatë

Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë me 30 ditë burg për Robert Kullën, djalin e Nehat Kullës i njohur si gjenerali dhe masat arrest me burg për dy miqtë e tij, Roland Liti dhe Alan Babameto, të akuzuar si autorë të vjedhjes se një banke të nivelit të dytë në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet.

Seanca për vlerësimin e masave të sigurisë u shndërrua në një përplasje provash mes Prokurorise dhe tre të akuzuarve, të cilët nuk e pranuan akuzën, duke paraqitur secili alibinë e tij.

Robert Kulla deklaroi se paratë që i janë gjetur në momentin e arrestimit i ka nga qiraja që u merr dy objekteve që ka në pronësi. Ai pranoi njohjen dhe miqësinë që ka me dy të akuzuarit e tjerë, por mohoi të ishte bashkëpunëtor apo ideator i vjedhjes së bankës.

Ndërkohë, i akuzuari tjetër Roland Lita, deklaroi se ditën kur është vjedhur banka nëpërmjet çarjes së murit të dhomës kasafortë, ai ka qenë duke festuar ditëlindjen e vajzës, ndërsa udhëtimin drejt Malit të Zi e ka justifikuar se ka shoqëruar disa shokë që i kishin ardhur nga Gjermania.

Po kështu, edhe i pandehuri i tretë për këtë ngjarje, Alan Babameto deklaroi se në diten e grabitjes ka qenë në qytetin e Vlorës me familjarët e tij.

Për Kullën gjykata vendosi arrest me afat 30-ditor derisa të verifikohen pretendimet e tij për të ardhurat e sigurara nga qiratë, ndërsa për dy te pandehurit e tjerë, caktoi masat e sigurisë arrest me burg duke refuzuar alibitë e tyre.

Nga ana tjetër, Prokuroria për momentin ka si prova të forta ndaj të pandehurve, gjurmët e gishtave të Roland Litit në një bidon uji të gjetur në vendin e ngjarjes dhe një raport të kompanive celulare sipas të cilave telefonat që posedojnë të pandehurit kanë qenë në zonën e bllokut në ditët që është punuar dhe më pas grabitur banka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat