Rinasi, Tahiri: Të rishikohet kontrata me konçensionarin, rrezik siguria kombëtare

Shqipëria

Rinasi, Tahiri: Të rishikohet kontrata me konçensionarin, rrezik siguria kombëtare

Më: 5 shtator 2016 Në ora: 22:46
Saimir Tahiri

I ftuar në Tonight Ilva Tare, ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ka thënë se Shqipëria ka një problem real me kanabisin, por lufta e policisë kundër kultivimit të tij, është në rrugën e duhur.

Ministri Tahiri u ndal edhe tek denoncimet e opozitës, të cilat I cilësoi sit ë pavërteta dhe në disa raste ndihmojnë kultivuesit për t’i shpëtuar policisë. Tahiri ka thënë se pop shkatërrohet më shumë kanabis sepse është rritur niveli i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.

Ministri Tahiri është ndalur edhe tek vjedhja e bujshme e aeroportit të Rinasit duke thënë se firma konçensionare nuk kishte marrë masa për të garantuar sigurinë pavarësisht shkresave të vazhdueshme të policisë, ku sugjerohej pikërisht kjo gjë.

Sipas ministrit marrëveshja me këtë konçensionar duhet rishikuar dhe duhet të ndryshojë pasi paraqet rrezik real të sigurisë kombëtare.

Sipas Tahirit, miratimi I ligjit për sigurinë shtesë, i kthyer nga Presidenti dhe i rrëzuar në komisionin e sigurisë, do të kishte ndihmuar në evitimin e kësaj grabitje.

Pjesë intervista:

Tare: Zoti Tahiri, 1086 ditë në krye të Ministrisë të Punëve të Brendshme,  jeni ministri më jetëgjatë gjatë kohës së demokracisë. Kjo tregon se po e bëni mirë punën?

Tahiri: Kjo tregon që realisht ne jemi të përkushtuar për t’i bërë qytetet tona sa më të sigurta. Kjo tregon që qasja e kryeministrit dhe e qeverisë është e orientuar sigurisht drejt stabilitetit në qeverisje nga njëra anë dhe nga ana tjetër drejt rezultateve të prekshme për qytetarët. Unë besoj që ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë bërë një detyrë mjaft të pëlqyeshme gjatë këtyre kohëve.

Pavarësisht subjektivitetit tim ashtu siç besoj që kemi lënë shumë gjëra pa bërë. Unë hyj tek njerëzit përgjithësisht kritikë për atë që bën në punën time pavarësisht se nuk duhet të jem njeriu i parë që e vlerësoj por kam bindjen që gjithçka kemi bërë deri sot është një motiv dhe nxitje mjaft e fortë për të vazhduar sfidat që kemi përpara dhe ato janë gjithmonë më shumë se sa ato që kemi përmbushur.

Tare: Nëndrejtori i policisë ka dhënë shifrën prej 1.2 milionë rrënjë kanabis të asgjesuar në këto 3 muaj, çfarë do të thotë kjo shifër?

Tahiri: Sot po shkatërrojmë çdo parcelë kanabis bashkë me partnerët italianë dhe e kemi ngritur nivelin e bashkëpunimit në ritme fare të panjohura deri më parë. Policia e Shtetit sot merr raporte nga Guardia di Finanza mbi parcelat me kanabis, shkatërrohen brenda 5 ditëve dhe Guardia di Finanza fluturon përsëri për të konfirmuar shkatërrimin, kjo me kërkesën personale timen sepse dua realisht të monitoroj çdo veprim të çdo punonjësi policie dhe të shoh punën që bëjnë kundër kultivimit të kanabisit.

Unë nuk kam thënë kurrë që nuk kemi një problem me kultivimin e kanabisit, unë nuk kam thënë kurrë që me Lazaratin u mbyll ky problem, por kam thënë që ne sapo hapëm siparin e zgjidhjes definitive të një problemi të madh që ka Shqipëria. Nëse jemi të vetëdijshme që kemi një problem të madh, kjo është një gjë me të cilën të tjerët nuk janë përballur kurrë. Ne po përballemi, dhe kjo ka gjithmonë një fillim, ne e kemi filluar dhe jemi në rrugën e duhur.

Tare: Bazuar në shifrat që jep policia e shtetit, a ka të drejtë opozita por edhe një pjesë e qytetarëve të Shqipërisë që ka një kanabizim të Shqipërisë?

Tahiri: Opozita po mbledh sukseset tona, i hedh në hartë dhe thotë që ka kanabizim të Shqipërisë. Po mbledhin komunikatat e policisë, ku shkatërrohet kanabis dhe po thonë këtu ka, këtu ka e kështu me radhë, që praktikisht janë sukseset e policisë për të shkatërruar çdo parcelë kanabis aty ku ka.

Pse po shkatërrojmë sot më shumë, do të thotë që e identifikojmë më mirë, do të thotë që e shkatërrojmë pa asnjë lloj hezitimi. Dje, po aty ishte kanabisi, po aty ka qenë edhe në Vlorë, po aty ka qenë edhe në Dibër, po aty ka qenë edhe në Krujë, edhe në Shkodër dhe nuk e shkatërronte njeri. Ju e kujtoni se si ish Kryeministri, rreth viteve 2007, doli dhe tha do arrestohen kryepleqtë e fshatrave nëse nuk raportojnë kanabisin. Nuk e tha sepse kishte hallin e Lazaratit, e tha sepse kishte një hall në çdo cep të Shqipërisë dhe ky problem është trashëguar dhe askush nuk ka lëvizur.

Tare: Denoncimet e PD të ditëve të fundit lidhen me një rast konkret, diku afër Fushë Krujës, Larushës, zonës atje. Çfarë po bëni? E keni marrë në konsideratë?

Tahiri: Është rasti më ekzemplar se si PD jo vetëm rrezikon prishjen e procedimeve penale të policisë por gati gati mund të thuhet që edhe i ndihmon ata që e kultivojnë. Për rastin konkret, policia e shtetit ka një procedim penal të nisur në datë 12, në mos jam gabim, të muajit të kaluar, një procedim penal për të cilin di që, dje ose sot është arrestuar një person dhe janë në kërkim dy të tjerë dhe është shkatërruar parcela dhe konferenca për shtyp e PD, jo vetëm që është jashtë vendit, jo vetëm që prish punën e policisë, jo vetëm që fare të kollajtë do e kishin nëse do interesoheshin zyrtarisht, në mos në polici, në prokurori për të mësuar se çfarë bëhet, por gati gati mund të thuhet që ndihmon kultivuesit se duket sikur i bën një thirrje që të largohen meqë policia paska një procedim penal. Parcela është shkatërruar, është arrestuar një person dhe janë shpallur në kërkim 2 të tjerë.

Tare: Ka një supergrabitje për nga niveli i sigurisë, flasim për aeroportin të vetëm ndërkombëtar të vendi, një grabitje që ende nuk kemi ndonjë të re nga policia. Ka zhvillime në lidhje me këtë ngjarje?

Tahiri: E para, numri i grabitjeve dhe i vjedhjeve ka rënë me disa fish në Shqipëri dhe kjo falë punës së policisë dhe dënimeve të atyre që janë arrestuar. E dyta, edhe kaq sa janë, për ne të gjitha rastet, janë motiv i mjaftueshëm për të shtuar volumin e punës. E treta, hetimet kërkojnë kohën e tyre, pra kërkohet një kohë për të çuar përpara hetimet dhe në bazë të hetimeve, vjen edhe rezultati. Ju marr rastin e grabitjes së bankës tek blloku, që u arrestuan personat e dyshuar dhe për të cilët unë pres që drejtësia të japë vendimin e saj.

Po kështu edhe grabitja në Rinas, por përpara se të shkojmë aty, unë do të doja që t’i bëja me dije publikut disa rrethana që mund të zgjidheshin fare mirë me ligjin për sigurinë publike, për masat shtesë të sigurisë publike dhe për të cilat unë do të vazhdoj të bisedoj me deputetët e komisionit të sigurisë, do vazhdoj të bisedoj me të gjithë aleatët e PS në maxhorancë sepse realisht besoj që ai ligj duhet të miratohet dhe do këmbëngul deri ditën e fundit të detyrës sime, që të bind çdo deputet në parlamentin e Shqipërisë, edhe opozitën po të më duhet, që ai ligj të miratohet.

Tare: Çfarë ju pengoi mungesa e atij ligji në grabitjen e Rinasit?

Tahiri: Policia me shkresa të panumërta i ishte drejtuar aeroportit duke i thënë, duhet të merrni masa për kamerat e sigurisë në derën ku ndodhi grabitja. Duhet të merrni masa për rrethimin. Duhet të merrni masa për sinjalizimin në rast se dera hapet në mënyrë të paligjshme, duhet të merrni masa pse jo edhe për bllokimin e derës dhe hapjen automatike të saj, siç ndodh në cilindo vend të botës. Dhe kemi marrë përgjigje negative, ku jo vetëm nuk pranohet kërkesa e policisë por ku theksohet që ruajtja e perimetrit është detyrë e kompanisë private që paguhet miliona euro.

Nëse ky ligj do ishte në fuqi, policia jo vetëm do rekomandonte, policia do detyronte konçensionarin që të merrte masa të detyrueshme për të garantuar sigurinë në Rinas. Në asnjë vend të botës, perimetri i aeroporteve nuk ruhet me polici, në asnjë vend të botës.

Perimetri i aeroportit tonë është i vogël për shkak të sipërfaqes por ka aeroporte që kanë perimetër edhe 50 km katrorë dhe nuk ruhet me polici. Sot është teknologjia që shërben më së miri për të bërë ruajtjen e çdo fenomeni dhe është për të ardhur keq që në aeroportin e Rinasit, konçensionari ndoshta më fitimprurës, nuk ka marrë masa dhe ka degraduar në mënyrë katastrofike çdo premisë për të pasur siguri në atë aeroport.

Tare: Në mënyrë të qëllimshme po thoni?

Tahiri: Unë nuk e di. Pres që të ketë një hetim penal pse ka dështuar sepse hetimi penal mund të zbardhë nëse është në mënyrë të qëllimshme apo është një neglizhencë fatale e këtyre niveleve në të vetmin aeroport ndërkombëtar.

Policia në bazë të ligjit dhe në bazë të marrëveshjes konçensionare që kjo firmë ka fituar duke e miratuar në parlament, këtu e 10 vjet përpara, nuk ka të drejtën as të monitorojë perimetrin. Kjo e kthyer me përgjigje me shkresë nga kjo kompani që unë besoj se duhet të ndryshojë patjetër.

Tare: Keni thënë që do ta rishikoni marrëveshjen. Po bëhet aktualisht një negociatë?

Tahiri: Unë besoj se ajo marrëveshje konçensionare duhet domosdoshmërisht të ndryshojë, sepse është rrezik real për sigurinë kombëtare. Sot aeroporti i Rinasit, as objekt i rëndësisë kombëtare nuk është. Nëse ligji për sigurinë shtesë do të ishte në fuqi, do i ksihim thënë me detyrim që këtu duhet të marrësh masa shtesë për të garantuar siguri, dhe vjedhja nuk do të kishte ndodhur. Njësoj edhe banka tjetër në bllok, nuk kishte asnjë kusht sigurie për dhomën e kasafortës.

Tare: Në çfarë faze është ligji për sigurinë shtesë? Po rishikohet në komision, u kthye nga presidenti i Republikës..

Tahiri: Mbetet për t’u riparë në komision. Unë besoj që ka nevojë për komunikim me deputetët e komisionit të sigurisë ashtu si dhe me deputetët e tjerë të maxhorancës, pse jo edhe të opozitës. Unë mendoj se është një ligj që mungesa e të cilit, padrejtrësisht po shkakton këto pasoja në Shqipëri.

Tare: Një nga vërejtjet për ligjin ishte se nuk shoqërohej me një faturë financiare, ose ajo që u përfol, bëhej fjalë për rreth 20 milionë euro që do të bliheshin kamera për të shtuar këto masa shtesë dhe që për shkak të parametrave që ishin vendosur aty, i përfitonte vetëm një kompani dhe kjo linte shteg për favorizime, klientelizëm e kështu me radhë. E keni zgjidhur këtë problem?

Tahiri: Kjo është një histori shumë banale. Ne në ligj nuk kemi përcaktuar as që duhen blerë kamera, as që do blihen kamera, as kompani që blihen kamerat, as që duan të blejnë kamera apo që mund të blejnë kamera, asnjë gjë të tillë dhe kjo histori ka lindur në mënyrën më qesharake të mundshme.

Një deputet i opozitës i cili lexoi në ligj pixel, sepse ne e kemi përcaktuar në ligj që kamerat e sigurisë duhet të kenë jë nivel të caktuar pixel, dhe tha që pixel është kompania që shet kamerat kështu që ky ligj është klientelist. Tani injorancën e këtij deputeti e paguajmë ne, që nuk di as se ç’është pixeli dhe i duket një kompani që do shesë kamerat. Fabula e klientelizmit të ligjit, lindi nga deputeti i opozitës që nuk dinte që pixeli nuk është firmë që shet kamera.

Tare:  Do të ketë ndryshime të tjera në qeveri? Përmendet shpesh emri juaj sa herë flitet për ndryshime në qeveri, madje ju kanë gjetur edhe pozicionin, përflitet për ministër i drejtësisë?

Tahiri: Nuk duhet të më pyesni mua për këtë punë

Tare:  Ju nuk keni ndonjë informacion se mund të ketë lëvizje?

Tahiri: Unë as nuk kam informacion dhe as mendoj që duhet të kem informacion dhe as mendoj që duhet të ketë.

Tare:  Mendoni se s’duhet të ketë lëvizje?

Tahiri: Sipas meje, jo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat