Zgjedhjet në Dibër, KQZ publikon fletën e votimit

Shqipëria

Zgjedhjet në Dibër, KQZ publikon fletën e votimit

Më: 7 shtator 2016 Në ora: 18:41
Fletëvotimi

KQZ ka shtypur dhe janë gati për shpërndarje fletët e votimit që qytetarët në Dibër do të votojnë për kryebashkiakun e ri.

Fletët e votimit janë depozituar në Magazinat e Lundrës sipas të gjitha procedurave ligjore, njofton KQZ-ja.

“Aktualisht, Administrata e KQZ-së po punon intensivisht dhe është në fazën e përgatitjes së bazës materiale zgjedhore: kutitë me mjetet kancelarike, kutitë e votimit, kutitë e materialeve zgjedhore dhe i gjithë dokumentacioni i nevojshëm për mirë administrimin e procesit zgjedhor. Sot përmbyllet përgatitja e bazës materiale zgjedhore, dhe ditën e enjte në mëngjes, data, 8 shtator, do të vijohet me dërgimin e tyre në KZAZ-në 19, Dibër, e cila më pas në do ta shpërndajë çdo Qendër Votimi”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Sipas informacioneve të sjella nga Administrata e KQZ-së e cila ndodhet në Dibër dhe do të trajnojë komisionerët, rezulton se në katër vende trajnimi, Shkolla ‘Nazmi Rushiti’, në Peshkopi, Shkolla 9-vjeçare në Maqellarë, Shkolla 9-vjeçare në Qendër Tomin, Shkolla 9-vejçare në Sohodoll, nuk është paraqitur asnjë komisioner i Qendrave të Votimit për t’u trajnuar.

KQZ ripërsërit apelin ndaj partive politike që të marrin masa dhe të dërgojnë komisionerët e propozuar prej tyre, në sesionet e trajnimit, pasi trajnimi i tyre është shumë i rëndësishëm për mirë-administrimin e procesit zgjedhor”, mbyll njoftimin KQZ.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat