Frroku në gjyq: Prokuroria s’ka llogaritur rrogën si deputet, imagjino…

Shqipëria

Frroku në gjyq: Prokuroria s’ka llogaritur rrogën si deputet, imagjino…

Më: 20 shtator 2016 Në ora: 15:02
Mark Frroku

Në seancën e zhvilluar sot në gjykatë për ish-deputetin Mark Frroku kanë dëshmuar 3 persona, të cilët nuk mundën dot të jepnin deklarimet e tyre seancën e mëparshme për shkak se nuk dëgjoheshin nga i pandehuri.

Dy gratë, njëra financiere dhe tjetra arkëtare e shoqërisë së basteve që ka pasur në pronësi Mark Frroku, kanë dëshmuar se shoqëria e tij ka qenë e rregullt me shtetin dhe ka paguar çdo taksë dhe detyrim financiar.

Ndërsa Frroku është parë i revoltuar teksa ka deklaruar se pasuria e tij është vënë me punë të ndershme nga ai dhe familja e tij.

Nga aktekspertimi që ka bërë prokuroria për akuzën e pastrimit të parave, mësohet se nuk janë llogarit farë dy shoqëri në pronësi të Frrokut, që u përmendën sot në gjyq nga dy dëshmitaret.

Ndërkohë pas deklarimit të tyre, u çua në këmbë vetë Frroku i cili tha se prokuroria “s’ka llogaritur rrogën time të deputetit, imagjino ca ka bërë me të tjerat. Unë i kam paguar shtetit 7 milionë USD taksa e tatime, këta diskutojnë 2 milion USD, po i kam, janë bërë me punë të ndershme, po deshën le t’i marrin”, tha ish-deputeti.

Një nga akuzat e prokurorisë për Mark Frrokun është fshehja e pasurisë.

Në seancën e sotme Tom Doshi sërish nuk ka qenë i pranishëm si dëshmitar teksa përmes avokatit të tij ka deklaruar se nuk mund të merrte pjesë sot sepse kishte probleme familjare dhe ishte nisur për në Shkodër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat