Polici që qëndroi dy ditë në koma

Shqipëria

Polici që qëndroi dy ditë në koma

Më: 6 tetor 2016 Në ora: 10:36
Ervin Dervishi

Ish-drejtuesi i policisë rrugore, Ervin Dervishi, ka folur për herë të parë për sëmundjen që i rrezikoi jetën. I ftuar në emisionin “Pasdite në Top Channel”, Ervini tregoi se një mëngjes kur po dilte nga shtëpia për të ikur në punë u godit nga një ishemi në kokë.

Asnjëherë më parë nuk kishte pasur probleme shëndetësore edhe pse mjekët kishin konstatuar se kjo gjendje i kishte ardhur për shkak të një problemi të lindur në zemër. Momenti më i vështirë, sipas Dervishit, ishte kur familjarët e tij, sidomos gruaja, Orjana dhe djali i tij Eduan, u desh të përballeshin me këtë situatë. 

Ai qëndroi disa ditë në repartin e Neurologjisë dhe sipas tij mjekët bënë të pamundur për ta mbajtur në jetë. 

Pas ndërhyrjes së Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes, Dervishi u dërgua në Turqi ku iu nënshtrua operacionit në zemër. Gjatë kësaj situate të vështirë Ervini kaloi dy ditë në gjendje kome ku thotë se ishte si midis dy botëve. 

Pas operacionit ai iu rikthye mjaft shpejt punës duke anashkaluar edhe rekomandimet e mjekëve. “Jam operuar të mërkurën dhe të hënën kam dal në punë edhe pse rikuperimi mund te kishte shumë pasoja”, rrëfeu Dervishi në “Pasdite në Top Channel”. 

Jeta e re e Dervishit e ka bërë edhe më të ndjeshëm, megjithëse thotë se nuk ka ndryshuar shumë gjëra nga stili i të jetuarit. “Kur je mirë me shëndet nuk e kupton rëndësinë e jetës, momentet e vogla që ta bëjnë jetën të lumtur”, tha Dervishi teksa kujtonte ditët e vështira të sëmundjes. 

Një falënderim publik ka rezervuar për bashkëshorten e tij e cila i ka qëndruar pranë gjatë gjithë kohës. Gruaja, djali dhe miku më i ngushtë i Ervinit, u bënë pjesë e “Pasdites...” duke rrëfyer miqësinë, sfidat  por dhe momentet e bukura.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat