Mandati i Dvoranit, Kushtetuesja e shkarkoi, Kushtetuta e re e mban në detyrë

Shqipëria

Mandati i Dvoranit, Kushtetuesja e shkarkoi, Kushtetuta e re e mban në detyrë

Më: 10 tetor 2016 Në ora: 20:18
Ilustrim

Seanca e radhës ndaj deputetit Armando Prenga, nën akuzë për plagosje dhe kanosje, është shtyrë. Armando Prenga mungoi, avokati mungoi, por e pazakontë ishte mungesa e gjyqtarit Ardian Dvorani.

Top Channel mësoi se ky nuk është gjyqi i vetëm që gjyqtari Dvorani nuk merr pjesë. Që prej 15 shtatorit, kur Gjykata e Lartë rinisi punën pas sezonit veror, Ardian Dvorani nuk paraqitet në asnjë proces gjyqësor.

Çështja e tij komplikohet si në asnjë rast të ngjashëm më parë, sepse përplas një vendim të Gjykatës Kushtetuese me Kushtetutën e re. Në fund të qershorit Gjykata Kushtetuese shpalli antikushtetues një pikë të ligjit që lejonte qëndrimin në detyrë, pas mbarimit të mandatit të një anëtari të Gjykatës së lartë derisa ai të zëvendësohej.

Kërkesa ishte e Partisë Demokratike, sipas të cilës, Ardian Dvorani po qëndronte në detyre edhe dy vjet pas mbarimit të mandatit të tij 9-vjeçar.

Sipas demokratëve, mazhoranca ka rrëzuar të gjithë dekretet e Presidentit për vendin vakant për të mbajtur në detyrë Ardian Dvoranin. Por vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk hyri në fuqi deri në 12 gusht, kur ai u botua në Fletoren Zyrtare.

Kjo do të thotë se vendimi që largonte Dvoranin nga detyra u botua dy ditë pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së re, e cila ka lënë hapësira që Ardian Dvorani të qëndrojë në detyrë derisa të zëvendësohet. Këtij konflikti juridik i referohet Ardian Dvorani, kur ka marrë vendimin për të mos u paraqitur në asnjë seancë gjyqësore.

Është e paqartë sesi do të zgjidhet ky konflikt, por pas mungesës së Dvoranit, Gjykata ka mbetur me 14 anëtarë, duke rrezikuar formimin e kolegjeve, pa të cilët Gjykata nuk mund të japë një vendim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat