Dëshpërimi i banorëve të përmbytur: Luftuam me ujin në mesnatë… i kemi shkruar Ramës

Shqipëria

Dëshpërimi i banorëve të përmbytur: Luftuam me ujin në mesnatë… i kemi shkruar Ramës

Më: 11 tetor 2016 Në ora: 20:20
Përmbytjet

Bilanci i përmbytjeve rritet nga ora në orë. Janë mbi 150 familje që banesat e tyre i kanë nën ujë që nga mbrëmja e djeshme. Situata më kritike është në Milot dhe Laç. Banorët kanë rrëfyer se nata e djeshme ka qenë natë tmerri. Uji i përrenjve dhe lumenjve të fryrë prej reshjeve të shiut vërshoi në banesat e tokat e tyre. “Kam çuar fëmijët tek të afërmit. Mezi arritëm të dilnim mbrëmë”,- rrëfen një banore e Milotit.

Ndërsa një tjetër thotë se “këtu nuk jetohet më dhe gjithë dëmi na është shkaktuar nga ndërtimi i autostradës pasi lumenjtë e vegjël apo kanalet që derdheshin në lumin Mat tani derdhen në shtëpitë tona”. Ajo thotë se banorët i kanë shkruar letër Kryeministrit Rama por nuk kanë marrë përgjigje.

Ndërsa një banor tjetër tregon se si kanë arritur të shpëtojnë një të moshuar. “E dëgjuam zhurmën dhe e shpëtuam nga dera mbrapa. Pastaj e çuam në spital, se ambulanca këtu nuk vjen”,- u shpreh ai.

“Jam veti i tetë në familje dhe jemi përmbytur komplet. Shyqyr që kam nxjerrë fëmijët gjallë, por jemi të mbuluar nga uji deri në fyt”,- tregon një banore tjeter.

Banorët e Milotit thone se uji ka arritur mbi 1 metër metra dhe se banesat tashmë të përmbytura rrezikojnë të shemben. Në fshatrat Gjorm, Fushë – Gjorm, Sanxhak dhe Shullaz janë qindra ha tokë nën ujë.

Reshjet e shiut kanë shkaktaur dëme të shumta dhe në Fushë Kuqe, ku veç sipërfaqeve të tëra toke që jane mbuluar nga uji ka pasur dëme edhe tek bizneset e zonës.

Ndërsa në qytetin e Laçit vazhdon të jetë problematike lagjia “Kodra e Bushit”, ku janë të përmbytura 9 shtëpi dhe vërshimi i prrenjëve ka shkaktuar dëmtime të bazës ushqimore të blektorisë.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat